Search

Sot në ora 11:30 mbahet debati publik për hidrocentralin në Kaçandoll

03 Mars, 2021


Duke filluar nga ora 11:30, kompania ‘Hidrocom’ në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit do të organizojnë debatin publik për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për hidrocentralin e ri në lumin Kaçandoll.

Debati publik do të mbahet në restorantin ‘Ura e Gurit’ në hyrje të Vushtrrisë si dhe në mënyrë virtuale në platformën zoom.

Hidrocentrali në lumin Kaçandoll ka kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 2.6 megavatësh, ndërsa kompania që po zhvillon projektin është Hidrocom.

Hidrocentrali në lumin Kaçandoll

Kompania në fjalë ka treguar se më herët është pajisur me pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit, dhe se është duke aplikuar për pëlqim për herën e tretë.

Në pëlqmin paraprak, projekti do të implementohej edhe në kufirin e Komunës së Mitrovicës, ndërsa me planifikimet e reja, projekti do të implementohet në kufijte e komunës së Podujevës dhe Mitrovicës.

Në dokumentacionin e dorëzuar, kompania ka treguar se ka modifikuar edhe kontratën me Agjensionin Pyjor të Kosovës dhe se projekti ka pranuar pajtueshmëri të plotë dhe cmime të levërdishme nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ministria publikon raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis për dy hidrocentrale të reja

Lexo më shumë

Kompania ka deklaruar se raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis është përgatitur në harmoni me kornizën ligjore në Kosovë, praktikat më të mira mjedisore dhe siguron se shqetësimet dhe kërkesat mjedisore janë marrë në konsideratë.

Sipas kompanisë, projekti nuk po zhvillohet në zonë arkeologjike apo zonë që është nën mbrojtje me ligj.

Kompania që po ndërton këtë hidrocentral ka paralajmëruar se gjatë fazës së ndërtimit mund të ketë më shumë ndikime në mjedis, ‘si pasojë e angazhimit të një numri të konsiderueshëm të pajisjeve mekanike për kryerjen e punimeve në dhe përreth zonës së hidrocentralit’.

Ndryshe, kompania ka paralajmëruar se në kuadër të aktiviteteve të fazës së ndërtimit, duhet të bëhet betonimi i disa mureve mbrojtëse për tu mbrojtur nga erozioni.

Ata kanë shtuar se aktivitetet e ndërtimit përfshijnë ndërtimin e një vepre marrës dhe një godine centrali, që do të bashkohen me një tubacion të rënies së ujit.

‘Këto aktivitete mund të shkaktojnë ndotje të lokalizuar të ajrit, zhurmë në hapësirën e aktivitetit në fjalë dhe ndotje të vogël të dheut’, ka thënë kompania në raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

‘Për të gjitha këto c’ështje janë propozuar masat zbutëse me qëllim të minimizimit të këtyre efekteve’, është përkushtuar kompania ndërtuese nga Kosova që po bën ndërtimin e këtij hidrocentrali, ndërsa ka listuar një sërë masash që do të ndërmerrë në pjesën e fundit të transportit.

Ndërsa në fazën operacionale, kompania ka thënë se ndikimet në mjedis janë tejet minimale, pothuajse të papërfillshme.

Ndryshe, kompania ka paralajmëruar se me qëllim të grumbullimit të ujit rrjedha do të devijohet, në mënyrë që edhe shpejtësia e tij të rritet.’ Pas mbledhjës së ujit në basenin e presionit, rrjedha do të përshkojë tubacionin me presion dhe do të arrijë secilën turbinë’, ka sqaruar kompania në raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

‘Implementimi i projektit në fjalë përpos që do të rezultoj me operimin e hidrocentralit i cili do të prodhoj energji të pastër elektrike, do të ndikojë edhe në përmirësimin socio-ekonomik të komunitetit të zonës. Për këtë janë angazhuar që studimet profesionale ne fushat respektive si: hidrologjisë, gjeologjisë, topografisë dhe hartimit të studimit për Vlersimin e Ndikimeve në Mjedis’, ka sqaruar kompania.

Sipas raporti të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të ketë ndikime të moderuara në lokacionin dhë përreth saj, ndërsa studimet sugjerojnë se ndërtimi është teknikisht i mundshëm dhe ekonomikisht i arsyeshëm.

‘Hidrocentrali, ne lokalitetetet e komunës së Vushtrrisë dhe Podujevës nuk kan ndikim në ndryshimin e regjimit të rrjedhjes së lumit, nuk e kanosin në asnjë mënyrë ambientin natyrorë dhe është projekt ekologjikisht i pranueshëm. Gjatë fazës së shfrytëzimit nuk ka elemente të shqetësimit për faunën’, thuhet në raport.

Ky projekt parashihet të ndërtohet brenda 24 muajve. Hidrocentrali pritet të prodhojë mesatarisht 6,081,730 kilovat orë energji elektrike në vit.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.