Search

Ministria publikon raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis për dy hidrocentrale të reja

10 Shkurt, 2021


Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka publikuar dy raporte të vlerësimit të ndikimit në mjedis për dy hidrocentrale të reja të planifikuara në Kosovë.

Bëhet fjalë për hidrocentralin Hydrocom me kapacitet të instaluar prej 2.6 megavatësh në rrjedhën e lumit Kaçandoll dhe EcoDri me kapacitet prej 9.65 megavatësh në rrjedhën e lumit Drini i Bardhë.

EcoDri do të ndërtohet në pajtim me ligjet në Kosovë dhe ka ndikime minimale në mjedis

Hidrocentrali ‘EcoDri’ me objekte përcjellëse pritet të ndërtohet në fshatrat Pllanejë dhe Vërmicë të Komunës së Prizrenit dhe është hidrocentral i tipit Digë. Ndërtimi parashikohet të bëhet në pjesën fundore të lumit Drini i Bardhë, rreth 4.5 kilometra para se ai të futet në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Diga për hidrocentralin EcoDri do të ndërtohet në pjesën e ngushtë të lumit, rreth 300 metra para hyrjes në luginën e Vërmicës dhe rreth 600 metra larg rrugës së fshatit Dobrushë.

‘Në aspektin e statusit planar, zona e projektit nuk interferon dokumentet planare aktuale të Studimit të Hidrocentraleve të Vogla të fuqizuar me Strategjinë e Energjisë 2017 – 2026 e as ndonjë dokument tjetër planar të fazave të mëparshme. Projekti nuk interferon as me Planet e Parqeve Kombëtare si Bjeshkët e Nemuna e Sharri’, thuhet në raportin e publikuar të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Ndryshe, raporti thekson se projekti është në harmoni edhe me vendimin për shpalljen e zonës së mbrotjur në kategorinë e parkut natyror të malit Pashtrik dhe Liqenit të Vërmicës dhe se hidrocentrali nuk do të ketë ndikime shtesë, pasi nuk ndikon në sipërfaqe shtesë nga ato të ndikuara tashmë nga hidrocentrali në Fierzë.

‘Zbatimi i projektit nuk do të ketë pasoja negative të mëdha në mjedisin e zonës. I tërë projekti është në përputhshmëri me strategjinë e zhvillimit energjetik të Republikës së Kosovës dhe është ekologjik, në përputhje me tendencat e zhvillimit të energjetikës alternative në Kosovë’, thuhet në pjesën e konkluzave të raporti të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Raporti thotë se ndërtimi nuk do të ketë ndikim në ndryshimin e regjimit të rrjedhjes së lumit Drini i Bardhë, ndërsa do të ketë ndikime minimale vetëm në ndryshimin e pejsazhit të sipërfaqes që duhet shfrytëzuar.

‘Masat që janë parashikuar të merrën pë këtë raport, ky fenomen do të zbutet’, thuhet në pjesën e konkluzave të raportit.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.

Debati publik për ndikimet në mjedis të hidrocentralit në Drinin e Bardhë mbahet më 25 shkurt

Sipas kërkesave ligjore, kompania ‘EcoDri’ që po planifikon ndërtimin e hidrocentralit në rrjedhën e lumit Drini i Bardhë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, kanë njoftuar për organizimin e debatit publik për të diskutuar raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Ata kanë ftuar të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në debatin që do të mbahet më 25 shkurt 2021 në ora 11:00 në hapësirat e restorantit ‘Ura’, rruga ‘Beteja e Drinit’ në fshatin Dobrushë të komunës së Prizrenit.

Në debat të gjithë të interesuarit mund të diskutojnë të gjeturat e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis për këtë hidrocentral, si dhe të shfaqin pikëpamjet e tyre.

Kompania ka njoftuar se debati do të organizohet edhe në mënyrë virtuale në platformën Zoom.

Për hidrocentralin në Kacandoll ishte lëshuar pëlqim mjedisor më herët, kompania po aplikon për herën e tretë

Ndryshe nga hidrocentrali EcoDri, për hidrocentralin në rrjedhë ne lumit Kaçandoll me kapacitet prej 2.6 megavatësh kompania në fjalë ka treguar se më herët është pajisur me pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit, dhe se është duke aplikuar për pëlqim për herën e tretë.

Në pëlqmin paraprak, projekti do të implementohej edhe në kufirin e Komunës së Mitrovicës, ndërsa me planifikimet e reja, projekti do të implementohet në kufijte e komunës së Podujevës dhe Mitrovicës.

Në dokumentacionin e dorëzuar, kompania ka treguar se ka modifikuar edhe kontratën me Agjensionin Pyjor të Kosovës dhe se projekti ka pranuar pajtueshmëri të plotë dhe cmime të levërdishme nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Kompania ka deklaruar se raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis është përgatitur në harmoni me kornizën ligjore në Kosovë, praktikat më të mira mjedisore dhe siguron se shqetësimet dhe kërkesat mjedisore janë marrë në konsideratë.

Sipas kompanisë, projekti nuk po zhvillohet në zonë arkeologjike apo zonë që është nën mbrojtje me ligj.

Kompania që po ndërton këtë hidrocentral ka paralajmëruar se gjatë fazës së ndërtimit mund të ketë më shumë ndikime në mjedis, ‘si pasojë e angazhimit të një numri të konsiderueshëm të pajisjeve mekanike për kryerjen e punimeve në dhe përreth zonës së hidrocentralit’.

Ndryshe, kompania ka paralajmëruar se në kuadër të aktiviteteve të fazës së ndërtimit, duhet të bëhet betonimi i disa mureve mbrojtëse për tu mbrojtur nga erozioni.

Ata kanë shtuar se aktivitetet e ndërtimit përfshijnë ndërtimin e një vepre marrës dhe një godine centrali, që do të bashkohen me një tubacion të rënies së ujit.

‘Këto aktivitete mund të shkaktojnë ndotje të lokalizuar të ajrit, zhurmë në hapësirën e aktivitetit në fjalë dhe ndotje të vogël të dheut’, ka thënë kompania në raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

‘Për të gjitha këto c’ështje janë propozuar masat zbutëse me qëllim të minimizimit të këtyre efekteve’, është përkushtuar kompania ndërtuese nga Kosova që po bën ndërtimin e këtij hidrocentrali, ndërsa ka listuar një sërë masash që do të ndërmerrë në pjesën e fundit të transportit.

Ndërsa në fazën operacionale, kompania ka thënë se ndikimet në mjedis janë tejet minimale, pothuajse të papërfillshme.

Ndryshe, kompania ka paralajmëruar se me qëllim të grumbullimit të ujit rrjedha do të devijohet, në mënyrë që edhe shpejtësia e tij të rritet.’ Pas mbledhjës së ujit në basenin e presionit, rrjedha do të përshkojë tubacionin me presion dhe do të arrijë secilën turbinë’, ka sqaruar kompania në raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

‘Implementimi i projektit në fjalë përpos që do të rezultoj me operimin e hidrocentralit i cili do të prodhoj energji të pastër elektrike, do të ndikojë edhe në përmirësimin socio-ekonomik të komunitetit të zonës. Për këtë janë angazhuar që studimet profesionale ne fushat respektive si: hidrologjisë, gjeologjisë, topografisë dhe hartimit të studimit për Vlersimin e Ndikimeve në Mjedis’, ka sqaruar kompania.

Sipas raporti të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të ketë ndikime të moderuara në lokacionin dhë përreth saj, ndërsa studimet sugjerojnë se ndërtimi është teknikisht i mundshëm dhe ekonomikisht i arsyeshëm.

‘Hidrocentrali, ne lokalitetetet e komunës së Vushtrrisë dhe Podujevës nuk kan ndikim në ndryshimin e regjimit të rrjedhjes së lumit, nuk e kanosin në asnjë mënyrë ambientin natyrorë dhe është projekt ekologjikisht i pranueshëm. Gjatë fazës së shfrytëzimit nuk ka elemente të shqetësimit për faunën’, thuhet në raport.

Ky projekt parashihet të ndërtohet brenda 24 muajve. Hidrocentrali pritet të prodhojë mesatarisht 6,081,730 kilovat orë energji elektrike në vit.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu.