Search

Sistemi energjetik grek rrezikon ndërprerjen e furnizimit për shkak të mbingarkesës nga burimet e ripërtëritshme

29 Mars, 2023


Futja në rrjet e shumë megavatëve të prodhuar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë në Greqi, e kombinuar me uljen e kërkesës për rrymë, ka sfiduar operatorët e rrjetit të energjisë elektrike në Greqi.

Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në miksin ditor të prodhimit të rrymës ka tejkaluar 50% ditëve të fundit, ndërsa kërkesa për rrymë ka rënë, sidomos gjatë fundjavave. Futja e shumë sasive të rrymës nga BRE-të ka filluar të ndikojë në mbingarkesën e rrjetit, duke rezultuar në ndërprerje të furnizimit me rrymë, raporton Balkan Green Energy News.

Sipas Operatorit të Pavarur të Transmisionit IPTO, rrjeti në Greqi do të ballafaqohet me probleme serioze sidomos gjatë festave, duke përfshirë edhe atë të Pashkëve, kur pritet të ulet edhe më shumë kërkesa për rrymë krahas prodhimit të lartë nga BRE-të.

Ndryshe, çmimi me shumicë i rrymës në Greqi ka rënë nën 100 euro për megavat, nivel ky i paparë që nga fillimi i krizës energjetike.

Sipas të dhënave, rreth 56.5% e energjisë elektrike dje në Greqi është mbuluar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, 16.6% nga importet, 11.4% nga termocentralet me gaz ndërsa termocentralet me qymyr kanë prodhuar rreth 10.5%, transmeton Kosovo.Energy.

Ndërsa kërkesa për rrymë ishte mestarisht rreth 131 GWh gjatë ditëve të javës, në fundjavë ajo ka rënë në 105 GWh.

Sipas IPTO, rrjeti do të sfidohe seriozisht edhe këtë fundjave, kur kërkesa pritet të shënoj rënie të jashtzakonshme.

Duke pasur parasysh faktin se në Greqi nuk ka ende impiante magazinimi dhe të ruajtjes së rrymës, IPTO ka mbetur me pak zgjidhje për të përballuar me problemet që mund të shkaktohen nga prodhimi i madh i rrymës nga BRE-të, që nuk janë fleksibile dhe rrymën prodhojnë vetëm kur ka diell në rastin e projekteve fotovoltaike, apo erë, në rast të projekteve të erës, transmeton Kosovo.Energy.

Një nga zgjidhjet që IPTO ka propozuar është kufizimi i prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme. Sidoqoftë, 6 nga 10 gigavatët total të BRE-ve janë tashmë të lidhura me rrjet dhe kjo është e vështirë për t’u monitoruar dhe kontrolluar.

Një zgjidhje tjetër e mundshme është kufizimi i importeve të energjisë nga vendet fqinje.

Në fund, futja e baterive dhe hidrocentraleve me reversibile në Greqi pritet të normalizojë situatën dhe të reduktojë nevojën për të fikur prodhuesit e rrymës nga burimet e ripërtëritshme.

/Kosovo.Energy