Search

Si mbeti Kosova edhe pa termocentral, edhe pa 20 milionë euro?

10 Tetor, 2023


Kosovës i janë shterur të gjitha mundësitë për ta sfiduar kompaninë amerikane, ContourGlobal, në lidhje me kontratën për Termocentralin “Kosova e Re”, thonë njohës të këtij rasti.

Tre vjet më parë, Kosova përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pasi kompania amerikane e fajësoi për mosrespektim të kontratës për ndërtimin e termocentralit të ri.

Javën e kaluar u bë e ditur se Kosova e ka humbur arbitrazhin dhe, për më tepër, detyrohet t’i paguajë njëzet milionë euro dëmshpërblim kompanisë ContourGlobal.

“E kam parë vendimin e Gjykatës [Ndërkombëtare të Arbitrazhit]. Sipas vlerësimit tim, të gjitha provat e mundshme [në favor të Kosovës] janë shterur në këtë procedurë të arbitrazhit”, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-avokati i përgjithshëm shtetëror i Kosovës, Sami Istrefi.

Në Ministrinë kosovare të Drejtësisë i thanë Radios Evropa e Lirë se Avokatura Shtetërore dhe Përfaqësuesi i kontraktuar Ligjor e kanë analizuar vendimin final të Gjykatës së Arbitrazhit dhe se do të ankohen ndaj tij në Gjykatën Civile në Mbretërinë e Bashkuar.

REL-i kërkoi më shumë detaje për ankesën që është menduar të bëhet, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit është institucioni kryesor i arbitrazhit në botë, që ndihmon në zgjidhjen e kontesteve ndërkombëtare komerciale dhe të investimeve.

Saga “Kosova e Re”

I nisur si projekt 17 vjet më parë dhe i paraparë të vihej në funksion këtë vit, Termocentrali “Kosova e Re” nuk u finalizua kurrë.

Projekti fillestar u rishikua dhe u ndryshua disa herë – varësisht qeverive që merrnin pushtetin – deri më 2017.

Atë vit, Qeveria e atëhershme e Kosovës nënshkroi marrëveshje komerciale me kompaninë amerikane, ContourGlobal, për ndërtimin e këtij termocentrali, që do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Si i tillë, projekti përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Termocentrali do të funksiononte me thëngjill dhe do të kishte kapacitet prodhimi prej 500 megavatesh në orë.

Me termocentralet aktuale, “Kosova A” dhe “Kosova B”, që po ashtu funksionojnë me thëngjill, Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë.

Ndërtimi edhe i një termocentrali me thëngjill kundërshtohej vazhdimisht nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët e konsideronin si të dëmshëm për mjedisin.

Banka Botërore, fillimisht, i dha mbështetje projektit, duke premtuar edhe një lloj garancie që do t’i mundësonte investitorit marrjen e një kredie me interes të ulët.

Por, në vitin 2018, institucioni ndërkombëtar financiar deklaroi se nuk do ta mbështesë më ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.

Pavarësisht kësaj, ContourGlobal tha atëkohë se nuk do të zmbrapset nga realizimi i projektit.

Kështu, deri në mars të vitit 2020 kur njoftoi përfundimisht tërheqjen nga projekti.

Në arsyetimin e lëshuar, kompania tha se nuk do të realizojë më projekte me thëngjill, por përmendi edhe ndryshimet e vazhdueshme politike në Kosovë, që kishin ndikuar në projekt.

Në kohën kur ishte nënshkruar kontrata me ContourGlobal, më 2017, Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Kur kompania amerikane u tërhoq nga projekti, pushtetin e mbante një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Asnjëra prej këtyre partive nuk e mbështeste projektin.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngulte se kompania në fjalë mund ta rrisë çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike, ndërsa LDK-ja shprehej pro ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, por kundër alternativave investuese që shtrenjtojnë çmimin përfundimtar të energjisë elektrike.

Përveçse u tërhoq, ContourGlobal e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në dhjetor 2020 për, siç u tha, mosrespektim të kontratës.

Kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane, ContourGlobal parashihte që, nëse Qeveria e Kosovës zvarrit kontratën duke mos i përmbushur obligimet, atëherë ajo do të ketë përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ContourGlobal në vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Sipas kontratës, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ContourGlobal nuk arrin ta sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një shumë prej 17.5 milionë eurosh.

Ish-avokati i përgjithshëm shtetëror i Kosovës, Sami Istrefi, kujton se në atë kohë ekzistonte edhe një marrëveshje mes tri ndërmarrjeve publike të Kosovës: Ibër Lepencit, Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

“Të gjitha palët e përfshira në atë marrëveshje kanë qenë të detyruara t’i japin pëlqim ContourGlobal për nisjen e ndërtimit të ‘Kosovës së Re’. Në këtë rast, KOSTT-i nuk ka dhënë pëlqim të tillë dhe, si pasojë, ka ardhur kjo gjendje çfarë është sot”, thotë Istrefi.

Ai shton se disa procedura mes palëve kanë vazhduar edhe pas tërheqjes së ContourGlobal – me këtë të fundit duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje.

Kompania amerikane, sipas Istrefit, kërkoi nga Kosova që t’ia paguajë shpenzimet e bëra për fizibilitetin apo vlerësimin e projektit “Kosova e Re”, në vlerë prej 6 milionë eurosh, porse Kosova nuk pranoi.

Mbyllja financiare e projektit u parapa të bëhej më 24 maj, 2020, por nuk u bë.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti t’i jepte miratimin përfundimtar ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Atëkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit e Kosovës tha se, pas disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, investitori ContourGlobal parashtroi kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Pas një procesi gati trevjeçar, ky institucion vendosi në favor të kompanisë amerikane.

Sikur të ecte përpara, jetëgjatësia e Termocentralit “Kosova e Re” do të ishte 40 vjet.

Qeveria e Kosovës, sipas kontratës, do ta merrte në pronësi atë pas një periudhe 20-vjeçare dhe pa asnjë kosto.

Me termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.7 milion banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja.

Arsye për kapacitetet jo të kënaqshme thuhet se është vjetërsia e dy termocentraleve.

Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Kosova importoi vitin e kaluar mbi 750 mijë megavate energji elektrike.

Çmimi i rrymës

Vitin e kaluar, çmimi mestar i rrymës për kategorinë e konsumatorëve familjarë në Kosovë shkoi në 6.14 euro për kilovat – nga 5.60 euro sa ishte në vitin 2021.

Ndërsa, për konsumatorët jofamiljarë, çmimi mesatar i rrymës në vitin 2021 ishte 8.39 euro, për të shkuar në 9.27 euro në vitin 2022.

Në prill të këtij viti, çmimi u rrit sërish – për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

/REL