Search

Shefi i OKB-së kërkon trefishimin e kapacitetit global të BRE-ve dhe dyfishimin e efikasitetit të energjisë

09 Shkurt, 2024


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi se bota po hyn në një “epokë kaosi” dhe se paqja mbetet elementi i munguar mes konflikteve të përshkallëzuara, me një Këshill të Sigurimit thellësisht të ndarë, të paaftë për të trajtuar çështje kritike si lufta Izrael-Hamas.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të mërkurën e 7 shkurtit me një listë të fushave prioritare për veprim, shefi i OKB-së nënvizoi se OKB-ja u themelua në kërkim të paqes.

Në fjalimin e tij, ndër tjerash Guterres shpalosi si prioritet për vitin 2024 edhe krizën klimatike, e cila sipas tij mbetet sfida më urgjente në botë.

Guterres vuri në dukje rënien e pashmangshme të epokës së karburanteve fosile dhe revolucionin e pandalshëm të energjisë së rinovueshme.

Duke kërkuar veprim këtë vit për të parandaluar një katastrofë klimatike, ai bëri thirrje për trefishimin e kapacitetit global të energjisë së rinovueshme, dyfishimin e efikasitetit të energjisë deri në vitin 2030 dhe eksplorimin e burimeve novatore të financimit të klimës.

Guterres, i cili e ka bërë prioritet adresimin e ndryshimeve klimatike që nga marrja e detyrës në vitin 2017, përsëriti se kriza klimatike “mbetet sfida përcaktuese e kohës sonë” dhe bëri thirrje që njerëzimi “të bëjë paqe me planetin”, dhe të ndalojnë së zhvilluari një luftë me natyrën, lufte nga e cila vetem ne mund te humbim.