Search

Rukiqi liston projektet e mundshme të Kosovës me financim amerikan, përmend edhe termocentralin me gaz

24 Shtator, 2020


Është nënshkruar marrëveshja në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Adam Boehler.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas dokumentit të nënshkruar, kjo do të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike në Kosovë, ka treguar se cilët sektorë pritet të përfitojnë nga marrëveshja e financimit amerikan, që u nënshkrua më 4 shtator në Uashington.

Në listën e projekteve të postuara nga Rukiqi në Facebook është edhe projekti i termocentralit të ri me gaz natyror. Rukiqi ka shtuar se janë krijuar të gjitha mundësitë, teksa Kosovës i mbetet që të zhvillojë projekte të mira dhe fizibile.

“Sektorët dhe projektet me mundesi te perfitimit te financimit amerikan: Brezovica, Rugova (Borea), Fabrika e bateriv, Termocentrali me LNG (Gas Natyror), Industria e perpunimit te ushqimit Qendra e logjistikës, IT, Sektori automativ, Teknologjite 5G, Mundesite jane, neve na mbete te zhvillojme projekte te mira dhe fizibile” ka shkruar Rukiqi.

Kosova aktualisht nuk ka ndonjë infrastrukturë funksionale të importimit dhe distribuimit të gazit, apo edhe treg të tij. Importimi i gazit për prodhim të energjisë elektrike kërkon zgjerim e rrjetit ekzistues transmetues nga vendet fqinje për të mundësuar kyqjen e Kosovës.

Kyqja eventuale e Kosovës në infrastrukturën e transmetimit të gazit hapë rrugën për zhvillime të reja në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe ndërtimin e termocentralit për prodhimin e energjisë nga gazi.

Termocentralet me gaz, më të lira dhe më pak dëme në mjedis se ato me thëngjill

Ndërtimi i termocentralit nga gazi është rreth pesëfish më pak i kushtueshëm se ndërtimi i të njejtit nga thëngjilli. Sipas studimeve, në botë në vitin 2018, ndërtimi i kapaciteteve prej 1 kilovatësh për prodhim të energjisë nga gazi ka kushtuar mesatarisht 520 mijë euro. Për të njejtat kapacitete por me burim thëngjillin, studimet tregojnë shifra pesëfish më të larta, – 3 milion euro.

Kësisoji, ndërtimi i një termocentrali me burim gazin me kapacitet prej 1000 megavatësh kushton rreth 520 milionë euro, deri sa për të ndërtuar termocentral me të njejtin kapacitet por me burim thëngjillin, kostoja do të ishte rreth 3 miliard euro.

Përveç kostos së ulët të ndërtimit, termocentrali nga gazi sjellë edhe më pak dëme në mjedis, krahasuar me termocentralet nga thëngjilli. Studimet thonë se një termocentral i ri me burim gazin natyror emeton 50 deri në 60 përqind më pak dioksid të karbonit (CO2) krahasuar me emetimet e një termocentrali të ri me thëngjill.

Gazi natyror duhet importuar, kjo mund të ndikojë në tarifat energjetike në vend

Kosova nuk ka rezerva të gazit andaj edhe prodhimi i energjisë nga kjo lëndë nënkupton import të vazhdueshëm të lëndës së parë. Kësisoji, cmimi i energjisë elektrike do të varej edhe nga cmimi i furnizimit me gaz (lëndën e parë).

Rritja e diversitetit të burimeve të energjisë konsiderohet të jetë shumë e rëndësishme për të mundësuar furnizimin e qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike.

Në këtë drejtim, zhvillimi i sektorit të gazit natyror në Kosovë përmes ndërlidhjeve me projekte të tjera të infrastrukturës së gazit në rajon, veçanërisht Unazës së Gazit të Komunitetit të Energjisë, përkatësisht lidhja me sistemin e gazsjellësit TAP / IAP vlerësohet si një mundësi reale për furnizimin e ardhshëm me gaz natyror dhe sigurimin e furnizimit stabil me energji elektrike.