Search

Rukiqi: Kosova nuk ka siguri energjetike

14 Janar, 2021


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, ka takuar përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe biznese prodhuese në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Rukiqi ka thënë se është ‘marre e madhe’ që për 20 vjet ende nuk është zgjidhur çështja e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.

‘Kosova nuk ka siguri energjetike, rrjedhimisht nuk ka as stabilitet për investime dhe zhvillim të bizneseve. Investimi i fundit me ndikim, në sektorin e energjisë, është ndërtimi i termocentralit ‘Kosova B’ ne vitin 1984’, ka thënë Rukiqi.

REL: Si përfundoi Kosova në arbitrazh ndërkombëtar nga ContourGlobal?

Lexo më shumë

Ndryshe, për kohë të gjatë Kosova ka konsideruar ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill ‘Kosova e Re’ me kapacitet të instaluar prej 500 megavatësh në orë për të mundësuar sigurinë energjetike.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane, ContourGlobal, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro. Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Termocentrali duhej të zëvendësonte termocentralin Kosova A, dekomisionimi i të cilit kërkohet nga një numër institucionesh, duke përfshirë edhe BE-në.

Ministri Kuçi: rishikimi i strategjisë përfundon në gjysmën e parë të vitit 2021

Lexo më shumë

Në mars të vitit 2020, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndryshe, 300 milion euro llogariten të jenë humbjet vjetore të bizneseve si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, sipas një studimi të bërë nga UBO Consulting për USAID.

Për momentin, Kosova është duke shqyrtuar strategjinë energjetike e cila duhet të përcaktojë të ardhmën energjetike të vendit, si dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë.