Search

Rregullatori në Shqipëri miraton rregulloren që ndalon manipulimet, pezullime dhe gjoba për shkeljet

08 Qershor, 2021


Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar rregulloren për integritetin dhe transparencën e tregut të energjisë me shumicë, që ka për qëllim të ndalojë praktikat abuzive që mund të ndodhin dhe prekin tregjet e energjisë me shumicë, ka raportuar SCAN.

Rregullorja e miratuar transfuzon dokumentin e miratuar dhe përshtatur për Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, ndërsa sipas ERE-s do të ndihmojë në funksionimin e duhur të këtyre tregjeve, duke marrë parasysh karakteristikat e tyre specifike. Sipas dokumentit të miratuar ndalohet çdo angazhim ose përpjekje për t’u përfshirë në manipulimin e tregut të energjisë me shumicë.

Ndërkohë që, personat që kanë informacion të brendshëm në lidhje me një produkt të energjisë me shumicë, e kanë të ndaluar që të përdorin këtë informacion apo të rekomandojnë ose nxisin një person tjetër, në bazë të informacionit të brendshëm, që të blejë ose të sigurojë produktet e energjisë me shumicë me të cilat ai informacion është i lidhur.

Ndërkaq, rregullorja e re parashikon që ERE do të monitorojë aktivitetin tregtar të produkteve të energjisë me shumicë për të zbuluar dhe parandaluar tregtinë bazuar në informacionin e brendshëm dhe manipulimin e tregut vendor, duke bashkëpunuar edhe me Autoritetin e Konkurrencës, apo ndonjë organ tjetër për monitorimin e tregut.

Ndërkohë që, në rast shkeljesh parashikohen një sërë masash, sikurse është ndërprerja e aktiviteteve që shkaktojnë shkelje të rregullores, të shpallë të pavlefshëm çdo akt ose vendim që përbën shkelje apo të detyrojë personat fizikë dhe juridikë që të kryejnë të gjitha veprimet e arsyeshme që konsiderohen si të nevojshme për të eliminuar efektet negative, dhe zbatimin e masave. Ndërkohë që, pavarësisht këtyre masave, ERE mund të vendosë edhe gjoba për personat fizikë dhe juridike, të cilat fillojnë nga 500 mijë lekë.

//SCAN