Search

Republika Srpska fton Malin e Zi të bashkëngjitet në projektin e hidrocentralit Buk Bijela

12 Mars, 2024


Udhëheqësi i Republikës Srpska në Bosne dhe Herzegovinë, Milorad Dodik, ka ftuar Malin e Zi të bashkëngjitet në ndërtimin e projektit të hidrocentralit Buk Bijela.

Ndërtimi i hidrocentralit 93 megavatësh Buk Bijela ka filluar zyrtarisht në maj të vitit 2021. Projekti po ndërtohet në bashkëpunim me Serbinë, që njëkohësisht është edhe aksionari më i madh në projekt. Ndërtimi është ballafaquar me shumë vështirësi për shkak të kundërshtimeve nga Federata e Bosnës dhe Herzegovinës si dhe Mali i Zi, raporton Balkan Green Energy News.

Dodik ka thënë se nëse Mali i Zi dëshiron të bashkëngjitet në projekt, atëherë Republika Srpska nuk do të kundërshtojë këtë. Ai ka shtuar se projekti nuk do të ndikojë në lumenjtë e Malit të Zi.

Mundësia e bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Republika Srpska për projektin e hidrocentralit Buk Bijela ishte diskutuar shumë më herët.

Në vitin 2004 Mali i Zi dhe Republika Srpska kishin nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin dhe operimin me hidrocentralin Buk Bijela. Atë kohë, kapaciteti i planifikuar i prodhimit të rrymës ishte më i lartë se që është në verzionin e fundit të projektit, përcjell Kosovo.Energy.

Projekti ishte braktisur pas ankesave se do të rrezikonte kanionin e lumit Tara në Mal të Zi.

Tashmë, dy palët kanë vendosur të vazhdojnë diskutimet për projektin në Trebinje, si dhe të përfshijnë edhe ministrat dhe menaxherët e ndërmarrjeve të energjisë në këtë dialog.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që krijohen ekipe për të zgjidhur çështjet midis BiH, Republikës Srpska dhe Malit të Zi në sektorin e energjisë.

Në korrik 2021, ministritë e mjedisit të Malit të Zi dhe Republikës Srpska ranë dakord të krijojnë një ekip ekspertësh për të shqyrtuar ndikimin e mundshëm të projektit Buk Bijela në lumin Tara në Mal të Zi.

Në vijim, në korrik të vitit 2023 u krijua një grup punues për të adresuar sfidat që lidhen me projektin Buk Bijela, me ndihmën e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Disa javë më vonë, Republika Srpska tha se do të kryente një studim shtesë mjedisor për të analizuar ndikimet e projektit në Parkun Kombëtar Durmitor në Mal të Zi, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.