Search

Reagojnë “Pishtarët” për heshtjen e ministrit Aliu ndaj hidrocentraleve në Deçan

21 Korrik, 2021


Në reagimin e ri publik, organizata Pishtarët ka thënë se Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu po heshtë për rastin e hidrocentraleve në Deçan, anipse dëmet që këto të fundit kanë shkaktuar në mjedis janë të dukshme, dhe të mbështetura nga shumë raporte.

‘Sot kaluan 120 ditë që Ministri i Ambientit z Liburn Aliu nuk po e adreson problemin e ujit dhe hidrocentraleve në Deçan. Evidenca e dëmëve në natyrë, në jetën tonë dhe në sistemin e drejtësisë tashmë ka tejkalu çdo standard të arsyeshëm. Përpos që ne kemi dërguar evidencë të gjendjes së mjedisit dhe ndikimeve të tyre në jetën tonë, tash se fundi kanë dalë edhe disa raporte me dëshmi se çka po ndodhë në Deçan’, kanë thënë Pishtarët në reagimin e tyre publik.

Në letrën e tyre publike, Pishtarët kanë thënë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk ka bërë publik raportin e ri për procesin e licencimit dhe operimit të hidrocentraleve, dhe se nuk i janë përgjigjur kërkesave për qasje në këtë raport.

‘Ne e dijmë se cilat janë shkeljet sepse kemi vite qe po mbledhim evidencë, por këtë raport e ka kërkuar Ministri dhe tash duhet të del para popullit me të dhe të na tregojë se çka është gjetur dhe çka do te bëjë ai me këto gjetje’, kanë thënë Pishtarët.

Pishtarët kanë thënë se para një muaji i kanë bërë thirrje Ministrit Aliu të adresojë problemin e Zallit të Rupes dhe të shqyrtojë lejën mjedisore për Lumbardhin 2, për t’i hapur rrugë rehabilitimit dhe për të ndihmuar bjeshkatarët këtë verë.

‘Ka dhjetra veprime të mundshme, besa edhe shumë tē lehta, që mund të merren, që të paktën të fillohet zbatimi i ligjit diku dhe mandati i Ministrisë dhe përgjegjësia ndaj popullit të shihet diku’, kanë shkruar në letrën e tyre.

Përkundër përpjekjeve të tyre dhe të disa mediave, Pishtarët kanë thënë se nuk kanë pranuar përgjigjje, ‘bile as arsyetim’.

‘Ne po bëhëmi dëshmitarë që përkundër premtimeve, edhe kjo verë po shkon si ato të tjerat, edhe disa familje po mbesin pa e siguru bylmetin dhe jetesen për dimër, ndërsa institucioni dhe Ministri përgjegjës po rrinë në heshtje. Deri kur?!’, kanë shkruar Pishtarët.

Ndryshe, pak kohë më parë grupi punues për shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis ka thënë se ka përpiluar raportin zyrtar me të gjeturat.

Pjesë e këtij raporti është publikuar edhe nga Kosovo.Energy, ndërsa verzioni i plotë ende nuk është bërë publik.

Ndër tjerash, në raport thuhet se lëshimi i lejeve ujore është bërë në kundërshtim me aktin ligjor për leje ujore dhe pa u mbështetur në një shqyrtim të detajuar profesional dhe nuk është bazuar në dokumente planifikuese.