Search

Qarkullimi vjetor i KEK në vitin 2019 ka shënuar rritje prej 13 për qind

11 Janar, 2021


Lista e bizneseve më të mëdha për nga qarkullimi në Kosovë dëshmon një ekonomi që mbështetet kryesisht te tregtia dhe shërbimet, shkruan Monitor.al.

Numri më i madh i bizneseve me qarkullim të lartë i takon tregtisë me shumicë dhe pakicë, tregtisë së karburanteve dhe shërbimeve bankare. Ndërmarrjet më të mëdha prodhuese janë ato të zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike.

Në vitin 2019 ndërmarrja e dytë për nga qarkullimi ishte Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

‘KEK raportoi një xhiro vjetore në vlerën e 185 milionë eurove, në rritje me 13% krahasuar me vitin pararendës. Burimi kryesor i të ardhurave të KEK është shitja e energjisë që prodhohet nga dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B’, thuhet në publikimin e Monitor.al.

KEK është gjithashtu një nga eksportuesit më të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës.

Për vitin 2019, KEK eksportoi energji, në vlerën e 32.5 milionë eurove, shumë kjo që përbën mbi 18% të shitjeve të kompanisë.

Prej vitit 2014, KEK është partner në projektin e kogjenerimit, përmes të cilit, avulli i prodhuar në termocentralin Kosova B shërben si lëndë e parë për kompaninë Termokos, që mbulon shërbimin e ngrohjes qendrore me kaldaja për qytetin e Prishtinës.

KEK është kompani në pronësi shtetërore dhe 100% e aksioneve zotërohen nga Republika e Kosovës.

E ndërkohë, qarkullimi vjetor i kompanisë që blen rrymën nga KEK dhe më pas me atë furnizon konsumatorët, KESCO, ka rënë për 24% në vitin 2019.