Search

Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” protestojnë para Qeverisë, kërkojnë vazhdimin e kontratës me KEK-un

09 Mars, 2023


Punëtorët e kompanisë “Kosova Thëngjilli” kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, duke kërkuar rikthimin në punë pas ndërprerjes së kontratës nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Që nga muaji korrik i vitit të kaluar, këta punëtorë kanë mbetur pa punë e pa paga. Kështu bëri të ditur, kryetari i aksionarëve, Enver Sadiku, i cili kërkoi ndihmën e Qeverisë.

“Qëllimi i kësaj proteste, arsyeja që kemi ardhë pranë Qeverisë është që të kërkojmë ndihmë prej Qeverisë për veprimtari të mëtutjeshme. Prej muajit korrik të vitit 2022 jemi pa të ardhura personale”.

Sadiku ka thënë se si pasojë e ndërprerjes së kontratës, kompania ka mbetur pa qymyr dhe si pasojë e kësaj nuk mundet t’i furnizojë kompanitë vendore.

“Kemi marrëveshje me KEK-un, e kemi harxhuar sasinë e kontraktuar të Thëngjillit me KEK-un edhe më nuk na e kanë vazhduar kontratën e furnizimit. Ne e marrim e blejmë qymyrin prej KEK-ut dhe e shesim në tregun të gjitha kompanive vendore, të cilat kompani e kanë lëndë djegëse qymyrin e marrin prej neve”.

“Ferronikelin e kemi shfrytëzuar me vite të tëra, ekonominë familjare të vendit, mirëpo prej muajit korrik, KEK-u e ka ndërprerë furnizimin me qymyr edhe jemi papunë, pa të ardhura personale, prej muajit korrik”.

Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që punëtorët e “Kosova Thëngjilli” protestojnë. Ata kanë protestuar edhe më herët, disa herë, para Qeverisë e Ministrisë së Ekonomisë.