Pas remontit njësia A5 rikthehet në operim dhe forcon kapacitetet prodhuese të KEK-ut
June 08, 2026
Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, ka njoftuar se pas përfundimit me sukses të remontit vjetor dhe remontit kapital të kaldajës, njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer në operim.
Procesi i startimit ka nisur të shtunën (06.06.2026) rreth orës 12:00, ndërsa njësia është sinkronizuar me sistemin elektroenergjetik të Kosovës rreth orës 18:00, duke shënuar rikthimin e saj në operim pas realizimit të aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes dhe investimeve teknike.
Gjatë periudhës së remontit janë realizuar ndërhyrje të rëndësishme në kaldajë, si dhe një sërë aktivitetesh të tjera teknike në pajisjet e njësisë, me fokus në rritjen e besueshmërisë operacionale, sigurisë teknike dhe qëndrueshmërisë së prodhimit në periudhën në vijim, raporton Kosovo Energy News.
“Rikthimi në operim i Njësisë A5 është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të punonjësve dhe ekipeve profesionale të TC Kosova A dhe KEK-ut, të cilët kanë realizuar me sukses një numër të konsiderueshëm punimesh komplekse teknike në funksion të përmirësimit të performancës dhe sigurisë së njësisë.” thuhet në njofitmin e KEK.
Aktualisht, njësia po kalon fazën e stabilizimit operacional dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga stafi profesional, në përputhje me procedurat teknike dhe standardet e sigurisë.
Nga KEK është theksuar se mbeten të përkushtuar në realizimin e investimeve dhe aktiviteteve të mirëmbajtjes që kontribuojnë në rritjen e sigurisë operative, besueshmërisë së prodhimit dhe furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për Republikën e Kosovës.