Search

Parlamenti Evropian bën thirrje për vendosjen e taksës ndërkufitare të CO2

12 Mars, 2021


Për të rritur përpjekjet globale për zvogëlim të emetimeve, përmes rezolutës anëtarët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar nga BE të vendosë çmim karboni për produkte të caktuara, duke përfshirë edhe energjinë elektrike që vjen nga vendet më pak të përkushtuara për klimën.

Mekanizmi për rregullim të kufirit të karbonit (CBAM), i njohur edhe si ‘taksa mbi dioksidin e karbonit’, duhet të mbulojë edhe importet e produkteve dhe mallrave në kuadër të Sistemit të BE-së për Tregti me Karbon (EU ETS), thuhet në rezolutën e re të miratuar nga Parlamenti Evropian.

Taksa e re e caktuar për vendet tjera synon sektorin e energjisë dhe industrinë e rëndë sikurse të çimentos, çelikut, aluminit, rafinerisë së vajit, letrës, qelqit, kimikateve dhe plehrave, thuhet në rezolutë.

Taksa e re ndërkufiftare e propozuar duhet të jetë në pajtueshmëri me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe nuk duhet keqpërdorur për qëllim proteksionizmi, kanë thënë anëtarët e Parlamentit Evropian pas votimit të rezolutës.

Në rezolutë është theksuar se rritja e përpjekjeve të BE-së në fushën e ndryshimeve klimatike nuk duhet të keqpërdoret përmes vendosjes së mundshme të prodhimit dhe fabrikave në vende që nuk janë anëtare të BE-së dhe që nuk kanë shtuar përpjekjet në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Taksa e re pritet të fillojë së zbatuari në vitin 2023, kanë thënë eurodeputetët. Të ardhurat nga taksa do të përdoren për të mbështetur objektivat e përcaktuara në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.