Search

Pacolli: Kosova nuk do të ndërtojë termocentral të ri me qymyr

08 Qershor, 2021


Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës po vazhdon me aktivitetet e saj të planifikuara në kuadër të edicionit të katërt të ngjarjes.

Më 8 Qershor u mbajt Takimi i Mëngjesit të Gjelbër me deputetë dhe OJQ lokale dhe rajonale mbi Dekarbonizimin, pasi tema e diskutimit ishte “Dekarbonizimi: Demokracia e Gjelbër & Tranzicioni i Energjisë”.

Pjesë e diskutimit, ose paneliste e ftuar, ishte gjithashtu Fitore Pacolli-Dalipi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes.

Pasiqë Pacolli-Dalipi përfaqëson partinë aktuale në pushtet që kryeson qeverinë, rrjedhimisht në këtë kuptim ajo u pyet për programin qeveritar dhe çfarë parashikon ky i fundit në lidhje me planet për një termocentral të ri të mundshëm me qymyr.

Përfaqësuesja e Vetëvendosjes dhe qeverisë shpjegoi se qeveria aktuale nuk ka parashikuar ndonjë termocentral të ri me qymyr në programin e saj qeveritar

Sidoqoftë, ajo vuri në dukje se dekomisionimi i termocentralit Kosova A, si dhe investimet në termocentralin Kosova B, do të jenë një nga prioritetet kryesore të qeverisë aktuale.

“Tani për tani nëse shikoni programin qeveritar nuk ka plane për të ndërtuar një termocentral të ri qymyri,” tha Pacolli-Dalipi.

“Ne do të fillojmë dekomisionimin e pjesëve jofunksionale të Kosovës A. Ky do të jetë hapi i parë që qeveria do të ndërmarrë”, shtoi ajo më tej.

“Qeveria njoftoi se do të marrë disa masa që përmirësojnë kapacitetet tona ekzistuese të energjisë drejt dekarbonizimit të energjisë dhe që përfshin që Kosova do të marrë masa mjedisore në termocentralin Kosova B”, tha ajo.

Për më tepër, Pacolli-Dalipi gjithashtu deklaroi se sigurimi i energjisë së qëndrueshme dhe të përballueshme për të gjithë territorin është ajo që qeveria duhet të adresojë menjëherë, gjersa gjithashtu propozoi një rritje të efiçencës së energjisë dhe investimeve në diversifikimin e energjisë.

“Por ajo që i duhet qeverisë tani është të sigurojë furnizim të përballueshëm dhe të qëndrueshëm të energjisë, sepse ende nuk kemi furnizim të qëndrueshëm të energjisë për të gjithë territorin. Ne kemi nevojë për të rritur efiçensën e energjisë dhe të investojmë në diversifikimin e energjisë. Kjo është ajo që qeveria ka propozuar dhe çfarë përfshihet në programin qeveritar”, përfundoi Pacolli-Dalipi.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu – Do të ndërtojmë termocentral të ri me qymyr nëse është e nevojshme ta ndërtojmë

Lexo më shumë

Artane Rizvanolli në KSDW: Strategjia e ardhshme energjetike ndër më të rëndësishmet që nga përfundimi i luftës

Lexo më shumë