Search

Artane Rizvanolli në KSDW: Strategjia e ardhshme energjetike ndër më të rëndësishmet që nga përfundimi i luftës

02 Qershor, 2021


Dita e djeshme shënoj ditën e parë zyrtare të aktiviteteve të edicionit të katërt të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë.

Dje në dy panele të ndryshme diskutimi, folësit dhe pjesëmarrësit e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë diksutuan dekarbonizimin, një ndër sfidat më të mëdha të sektorit të energjisë në Kosovë.

Rizvanolli: Gjithçka në energji ishte planifikuar rreth një termocentrali të madh, kjo ka ngulfatur mundësinë për të qenë më kreativ në bërjen e politikave

Diskutimi është hapur nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo theksoi se situata aktuale në sektorin e energjisë ka ardhur për shkak të keq-menaxhimit. Ajo tha se krahas sfidave të mëdha, edhe vendimet duhen të merren shpejtë.

“Jemi në një situatë kur nga neglizhenca apo vendimet e gabuara, apo vendimet dhe tërheqja nga vendimet për një 20 vitet e fundit na kanë sjellë në një situatë kur gjithçka është urgjente, në një situatë ku sfidat janë të mëdha, vendimet duhet të merren shpejtë. Vendimet janë të mëdha, dhe janë serioze. Janë vendime të cila ndikojnë në gjeneratat e ardhshme, jemi duke folur 10, 20, 30, 50 vitet e ardhshme”, tha Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli vendosi theks të veçantë në termocentralin e ri të thëngjillit, projekt ky që nuk u realizua.

“Në anën tjetër, është ndoshta një aspekt pozitiv që për dallim prej të kaluarës kur gjithçka në energji ishte planifikuar rreth një termocentrali të madh, dhe kjo në njëfar mënyre e ka ngulfatur mundësinë për të qenë më kreativ dhe për të bërë politika që janë më të mira dhe më të favorshme për sektorin. Në këtë aspekt, ne si qeveri e kemi një liri më të madhe, dhe në njëfar mënyre po fillojmë prej zeros me faqe të pastër. Dhe po shohim cilat janë mundësitë më të mira dhe mundësitë më të lira që do mund t’i realizojmë’, tha Ministrja Rizvanolli.

Rizvanolli: Ulja e konsumit, ulja e humbjeve në rrjet dhe ulja e kostos së blerjes së energjisë gjatë dimrit janë objektivat kryesore të sektorit të energjisë në Kosovë

Ministrja Artane Rizvanolli tha se aktivitetet e planifikuara në sektorin e energjisë duhet të mbështesin Kosovën në rrugën drejt karbonizimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ajo nënvizoi rëndësinë e masave të efiçiencës në prodhim të energjisë dhe në konsum, ndërsa tha se vendi duhet fokusuar në zbatimin e këtyre masave si dhe në zovgëlimin e humbjeve në rrjet.

“Tani, mundësitë që i kemi mendoj se janë të shumta. Efiçensa e energjisë është një gjë që nuk do mend. Në ndërtesat që tash e tutje do të ndërtohen, mirëpo dal ngadal edhe në ato ekzistuese. E di që kemi projekte dhe planifikojmë t’i zgjerojmë projektet që të forcojmë fondin e efiçencës së energjisë, si një fond që do të jetë i vetqëndrueshëm financiarisht, në mënyrë që të ulim konsumin e energjisë”, tha Rizvanolli.

Përveç masave të efiçiencës, Rizvanolli ritheksoi nevojën për rritje të kapaciteteve të ngrohjes, si mënyrë për luftimin e rritjes së konsumit në stinët e ftofta të vitit.

“Për këto arsye dhe jo vetëm për këto, është mirë që të shihen mundësitë për rritjen e kapaciteteve të ngrohjes qendrore, qoftë me apo pa kogjenerim, varësisht nga një strategji e përgjithshme”, tha Rizvanolli.

Ndërkaq, për të arritur këto objektiva Rizvanolli listoj një varg të projekteve dhe planeve që parashohin funksionalizimin e ngrohtorëve ekzistuese por edhe mundësitë e ndërtimit të kapaciteteve të reja.

“Kjo do të nënkuptoj rritjen e kapaciteteve dhe rritjes sipas nevojës, rritjen dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues në Prishtinë, funksionalizimin e ngrohtores në Gjakovë, mirëpo edhe shikimin e mundësive të fizibilitetit të ndërtimit të kapaciteteve të reja edhe në qytete të reja ku kemi një dendësi të madhe të popullsisë”, tha ajo.

Në anën tjetër, Rizvanolli sqaroi se investimet në efiçencë të energjisë do të ndikojnë edhe në uljen e kostos së blerjes së energjisë, marrë parasysh që gjatë sezonës së dimrit në Kosovë kërkesa për energji është më e lartë, njëlloj si edhe çmimi për të.

Rizvanolli: Gazi mund të jetë burim tranzicional, zhvillimi i prosumers do të evitonte shpenzime të mëdha kapitale për projekte të mëdha gjeneruese

Gazi mund të jetë vetëm burim tranzicional në miksin energjetik të Kosovës, ka konfirmuar Ministrja Rizvanolli, duke shtuar se opsionet ekzistuese të gazit duhen shqyrtuar me kujdes.

“Gazi mund të jetë si një burim tranzicional, edhe këtu kemi disa opsione të cilat do t’i shqyrtojmë me kujdes, gjithnjë duke pasur parasysh nivelin e investimeve që do të jetë i nevojshëm në të gjitha kapacitetet përcjellëse, por edhe kostot përfundimtare të energjisë që do të prodhohet prej tij”, tha Rizvanolli.

Në anën tjetër, ajo vlerësoi se interkoneksioni me Shqipërinë do të luaj rol të rëndësishëm për Kosovën në të ardhmen e saj energjetike.

“Interkoneksioni me Shqipërinë dhe bashkrendimi i politikave dhe rregullave të tregut me Shqipërinë, është tejet i rëndësishëm për ne si shtet. Dhe kjo do të bëhet posaqërisht i rëndësishëm në momentin kur ne fillojmë për të rritur kapacitetet tona prodhuese nga BRE-të”, tha ajo.

Ndërkaq, sa i përket planifikimit dhe mbështetjes së zhvillimit të energjsië së ripëtërishme, Rizvanolli theksoi se dëshira e saj do të ishte të zhvillohej sa më shumë sektori i prosumers, në mënyrë që të evitohen shpenzimet e mëdha kapitale.

“Burimet e Ripërtërishme të Energjisë absolutisht që duhet të përkrahen. Ne kemi kapacitete posacërisht për energji solare dhe të erës, dhe mund të bëjmë shumë më shumë për të zhvilluar këtë sektor”, tha ajo.

“Duhet të krijohen kushtet optimale për zhvillimin e kapaciteteve të vogla të BRE-ve nga qytetarët dhe bizneset tona. Do të dëshiroja shumë që sa më shumë energji të prodhohet nga ‘prosumers’ (vet-prodhuesit), gjë që rritet demokracinë energjetike, pronësinë vendore dhe ulë nevojat për ndërtim të kapaciteteve të mëdha që kërkojnë shpenzime të mëdha kapitale dhe shpesh viejnë më koston e okupimit të tokave bujqësore”, theksoi Rizvanolli.

Rizvanolli: Strategjia e ardhshme energjetike e vendit mbase do të jetë më e rëndësishmja për ekonominë e kosovës dhe më e rëndësishmja që nga përfundimi i luftës

Rizvanolli insistoi se deri sa të arrijmë ambiciet tona të dekarboznimit, duhet të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me enegji.

Në përfundim të fjalimit, ministrja Rizvanolli bëri thirrje për pajtueshmëri rreth qëndrimit të Kosovës kundrejt planeve dhe objektivave për sektorin e energjisë, duke theksuar se strategjia e ardhshme energjetike e vendit mbase do të jetë më e rëndësishmja për ekonominë e Kosovës dhe më e rëndësishmja që nga përfundimi i luftës.

Arbnor Kastrati: Kostoja e energjisë nga qymyri duhet të përfshijë edhe ndikimin mjedisor dhe shëndetësor, fatura vjetore shëndetësore nga KEK-u është 180 milion euro

Në ditën e parë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë dhe në diskutimet për dekarbonizimin, i ftuar si panelist ishte edhe menagjeri regjional i Akuo Energy, Arbnor Kastrati.

Ai tha se çmimi i energjisë nuk duhet të përfshijë vetëm kostot e prodhimit, por edhe kostot e ndikimit në mjedis dhe shëndet që ka prodhimi.

“Për informimin e drejt të publikut, mendoj që sot ajo se a është më shtrenjtë të prodhohet energjia nga thëngjilli apo prej energjisë së ripërtërishme është tejkaluar. Nuk e di sa jeni të informuar, por fatura e shëndetit apo ‘health bill’ që është nga KEK-u është 180 milion euro në vit, ndërkaq 360 milion është në rajon. Do të thotë, është një gjë çka ne paguajmë, dhe një tjetër është impakti të cilin e ka”, tha Kastrati.

Tutje, ai insistoi se me zhvillimin dhe avansimin e teknologjive të shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme, çmimet e gjenerimit të energjisë së ripërtërishme janë në rënie. Ai tha se energjia e prodhuar nga burimet konvencionale, sikurse në rastin e termocentralit Kosova e Re, mund të jetë shumë më e kushtueshme se ajo e prodhuar nga burimet e ripërtëritshme.

“Për mendimin tim, energjia e prodhuar nga burimet e ripërtërishme medoemos nuk do të jetë më e shtrenjta. Me këtë është vërtetu edhe prej çmimeve që janë ofruar në rajon, normal që janë tjera kushte, por çmimet në tenderët që kanë qenë në Shqipëri kanë qenë shumë më të ulët se sa çmimi i tregut në Kosovë”, tha Kastrati.

Tutje, ai poashtu përmendi një praktik të jashtëzakonshme që mund të referohet si një shembull i shkëlqyer i zhvillimit të qëndrueshëm, ku bujqësia dhe energjia mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në mënyrë simbiotike.

“Ne sot zhvillojmë projekte në Evropë ku pjesën e tokës e japim pa qera, do të thotë bujkut, ndërsa ai e rrit produktin dhe ne obligohemi që t’i blejmë ato produkte. Mirëpo, është një kusht, i cili nuk guxon që të përdor pesticide dhe produktet duhet të jenë organike”, tha Kastrati.