Search

Sistemi elektroenergjetik i Kosovës

19 Prill, 2021


Sistemi energjetik i një vendi nuk është i lehtë për t’u kuptuar dhe menaxhuar. Natyra e ndërlikuar e teknikës së përdorur sot paraqet sfidë të vërtetë për realizimin e duhur të punëve në këtë sistem.

Sistemi energjetik i Kosovës përveç natyrës teknike të rëndomtë, ka qenë prej kohësh dhe mbetet edhe më tej specifik, kjo duke pasur parasysh historinë e punës së këtij sistemi. Realiteti është i tillë, që për të pasur sukses një sistem i tërë energjetik duhet të jenë të suksesshme dhe funksionale katër komponentë që nuk bëjnë pa njëra–tjetrën.

Këto komponente janë:

  • Prodhim i mjaftueshëm dhe permanent i energjisë elektrike,
  • Objekte të mjaftueshme dhe plotësisht funksionale energjetike për transmision dhe shpërndarjen e energjisë elektrike nga pika e prodhimit deri te konsumatori i fundit,
  • Plasim i sigurt i tërë energjisë së prodhuar në vend me çmime që reflektojnë koston dhe tregun vendor e rajonal,
  • Infrastruktura e fortë dhe funksionale ligjore që mbron çdo kilovat/h të shpërndarë deri te konsumatori i fundit dhe anasjelltas.

Aktualisht, energjia elektrike e prodhuar në vendin tonë nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” nuk është e mjaftueshme për të ngopur konsumin vendor me energji elektrike, çka do të thotë se duhen burime të reja për prodhimin e energjisë elektrike (duke pasur parasysh lëndën e parë që ka vendi ynë). Në një situatë të tillë do të duhet një vetëdije më e ngritur e konsumatorit dhe asaj institucionale për rëndësinë e megavatëve prodhuar dhe të shpërndarë te konsumatori dhe respektimin e obligimeve që ka konsumatori për produktin që i servohet në shtëpi, zyrë apo çfarëdo objekti tjetër nga KEDS.

Në KEDS janë shënuar zhvillime tejet pozitive dhe inkurajuese si në fushën e operimit, mirëmbajtjes, po ashtu edhe në atë të investimeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Janë ndërtuar objekte të reja energjetike të të gjitha niveleve (pjesa që i takon KEDS-it) në shpërndarje të energjisë elektrike si dhe janë ngritur rrjete të reja. Këto investime kanë bërë që konsumatorët të kenë furnizim me të besueshëm dhe më kualitativ me energji elektrike. KEDS është duke vazhduar me investime, që si rezultat final kanë furnizimin permanent dhe cilësor të konsumatorëve me energji elektrike.

Suksesi në një kompanie nënkupton shumëçka dhe e tërë ajo që përfshihet në këtë fjalë të vetme nënkupton planifikim dhe angazhim profesional të orientuar drejt realizimit të objektivave, dhe nëse më pyesni, nëse jemi të aftë dhe mund të arrijmë sukses në kohët që po na presin para, përgjigjja ime e menjëhershme dhe e pa-rezervë do të ishte se po, jemi të aftë dhe mundemi dhe suksese të reja do të arrihen.

Suksese!

Avni Alidemaj

Avni Alidemaj është profesor me kohë të pjesshme në UBT, zyrtar i pajtueshmërisë në KEDS dhe kandidat për doktoraturë në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Malit të Zi.