Si mund të kursejmë energji ne si konsumatorë?
October 13, 2022
Qëllimi i këtij shkrimi është të paralajmërojë se na pret një dimër i vështirë në aspektin e energjisë elektrike, nëse nuk kursejmë energji, dhe se si mund të krijojmë shprehi të reja të kursimit ne si shfrytëzues të përditshëm të energjisë elektrike, në mënyrë që secili ta përmbushë rolin e tij kontribues në këtë kohë krize energjetike.
I gjithë ky artikull ka për qëllim që ta zbusë krizën energjetike, pra ta ndihmojë furnizimin me energji elektrike në mënyrë që stinën dimërore që po vie ta kalojmë me më pak pasoja të gjithë, si bizneset, industritë, po ashtu edhe ekonomitë familjare.
Suksesi i dëshiruar arrihet nëse secili nga ne, me mundësitë dhe kapacitetet që i kemi, e gjejmë formën më të mirë që ta kursejmë energjinë elektrike, duke konsumuar më pak energji, duke e racionalizuar përdorimin a saj, apo duke gjetur forma të ndryshme për të zëvendësuar energjinë elektrike me burime të tjera të energjisë.
Nevoja për ta zvogëluar konsumin e energjisë elektrike është e rëndësisë së lartë në këtë kohë krize, andaj po i ofroj disa udhëzime të lehta dhe praktike se si mund të kursehet ajo nga të gjithë ne si individë apo si biznese, përmes formave të ndryshme që janë lehtë të zbatueshme.
Baza e zvogëlimit të konsumit të energjisë është shfrytëzimi sa më racional, kursimi duke përdorur pajiset në kohë të duhur dhe me potencial optimal, jo maksimal.
Pastaj, si mundësi e kursimit është edhe shfrytëzimi i tarifës së ulët, gjatë së cilës energjia është gati përgjysmë me e lirë (22:00 – 07:00 gjatë dimrit), që ju mundëson ta kurseni buxhetin tuaj financiar dhe njëkohësisht kontribuoni në zvogëlimin e ngarkesës në rrjetin e shpërndarjes të energjisë, gjatë kohës së pikut kur konsumi është maksimal.
Po ashtu, nëse përkushtohemi që ndriçimin në shtëpi të bëjmë përmes poçeve“Led dioda”, ta ulim temperaturën e ujit në bojlerë për 5 gradë, t’i mbushim enët për vlim me të cilat përgatisim gjellat, vetëm me sasi të ujit për aq sa është e mjaftueshme për zierje, si dhe atëherë kur kemi mundësi të përgatisim ushqimin me stufë të druve apo me gaz dhe jo me energji elektrike, do të arrinim në një fazë ku kemi energji për të gjithë edhe gjatë kohës kur kërkesa për energji është maksimale.
Pra, nëse secili nga ne do të zvogëlonim konsumin e energjisë elektrike, duke u angazhuar që t’i ndjekim këshillat si më lart, kriza energjetike do të zbutej dhe ne do të ndaheshim të kënaqur sepse do të kishim energji edhe në këto kohë krize.
—
Ky opinion është publikuar fillimisht në www.kesco-energy.com. Opinioni është ripublikuar nga Kosovo.Energy.
Skender Buja
Skender Buja është udhëheqës i Qendrës së Thirrjes në KEDS/KESCO.