Search

Rruga drejt financimit të qëndrueshëm

March 01, 2022


Kalimi në një ekonomi të qëndrueshme është pa dyshim sfida e kohës sonë. Emetimet gjithnjë në rritje të gazrave serrë po ngrohin planetin, po ndryshojnë klimën dhe po kërcënojnë jetën e njerëzve. Me krizën e Koronavirusit, u bë edhe më e qartë se bankat duhet të përshpejtojnë financimin e një ekonomie me karbon të ulët dhe në të njëjtën kohë të zhvillojnë një vizion se si duhet të duket një bankë progresive ndaj klimës. Kosova si një nga vendet më të ndotura në Evropë mbetet shumë e prekur për shkak të termocentralit të saj me thëngjill, trafikut të automjeteve me naftë dhe sistemit të ngrohjes shtëpiake me dru dhe thëngjill, prandaj, iniciativat e ndërmarra nga bankat drejt fillimit të politikave të ESG-së (Mjedisore, Sociale, të Qeverisjes) në operimet e tyre kanë qenë të një rëndësie të madhe.

Termi qëndrueshmëri u përkufizua fillimisht zyrtarisht në vitin 1987 nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara Brundtland si “përmbushja e nevojave të së tashmes pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre”. Koncepti i qëndrueshmërisë përbëhet nga tri shtylla: ekonomike, mjedisore dhe sociale – të njohura gjithashtu si përfitimet, planeti dhe njerëzit.

Institucionet financiare po miratojnë gjithnjë e më shumë standarde globale për menaxhimin e rrezikut mjedisor dhe social dhe për zhvillimin e produkteve të qëndrueshme financiare. Për institucionet financiare, qëndrueshmëria ka dy komponentë:

  • Menaxhimi i rreziqeve mjedisore dhe sociale (E&S): institucionet financiare mund të forcojnë portofolin e tyre duke vlerësuar sistematikisht rreziqet e E&S të aktiviteteve të kreditimit dhe investimit për të minimizuar rreziqet financiare, të detyrimeve dhe të reputacionit që rrjedhin nga çështjet e E&S.
  • Identifikimi dhe shfrytëzimi i mundësive mjedisore të biznesit për zhvillimin e produkteve inovative në fusha të reja që lidhen me qëndrueshmërinë përfshin krijimin e produkteve dhe shërbimeve financiare që mbështesin aktivitetet tregtare me përfitime të E&S.

Modelet e biznesit që trajtojnë këto dy dimensione po ndihmojnë institucionet financiare të diferencohen nga konkurrentët, të përmirësojnë reputacionin e tyre në mesin klientëve dhe palëve kryesore të interesit, të tërheqin kapital të ri dhe të gjenerojnë vullnet të mirë dhe mbështetje nga palët e interesit përmes rritjes së transparencës.

BE-ja zhvilloi një ombrellë – Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe plani i veprimit i BE-së për financim të
qëndrueshëm, për të krijuar një gjuhë të përbashkët për financim të qëndrueshme dhe investime të qëndrueshme dhe afatgjata, të cilat, së bashku me kërkesën për pjesëmarrësit e tregut financiar për të shpalosur shkallën e qëndrueshmërisë mjedisore të produkteve të tyre, nënkupton se BE-ja po udhëheq evolucionin drejt investimeve të qëndrueshme dhe afatgjata.

Plani i veprimit të BE-së për financim të qëndrueshëm u miratua nga Komisioni Evropian në mars të vitit 2018 dhe është pjesë e udhërrëfyesit të KE-së, i njohur gjithashtu si Marrëveshja e Gjelbër Evropiane, që synon zbutjen e ndryshimeve klimatike, reduktimin e ndotjes dhe mbrojtjen e biodiversitetit.

Plani i veprimit i BE-së më qëllim të financimit të qëndrueshëm është kanalizim i flukseve financiare private drejt investimeve që mbështesin:

1. Objektivin e Marrëveshjes së Parisit të OKB-së për një ekonomie neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050,
2. dhe më gjerësisht Objektivat për Zh villim të Qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Bankat mund të menaxhojnë ekspozimin e tyre ndaj rreziqeve të E&S duke zhvilluar një Sistem të Menaxhimit Mjedisor dhe Social (ESMS). Kjo ndihmon bankën që të ulë ekspozimin e saj ndaj rrezikut të përgjithshëm. Në rastin e një banke, ESMS-ja përbëhet nga komponentët, siç janë politika e E&S e bankës, procedurat, angazhimi i menaxhmentit dhe stafi i caktuar me përgjegjësi të qarta për zbatim.

Sektori Bankar i Kosovës vazhdimisht po ndërgjegjësohet ndaj ESG-së, ku sot shumica e bankave në Kosovë me kapital të huaj tashmë kanë miratuar ESMS-në ashtu siç janë këshilluar nga bankat e tyre amë, ndërkohë që bankat vendore janë në rrugën e duhur për vendosjen e një sistemi të tillë dhe shumë prej tyre i janë përkushtuar financimit të gjelbër duke ofruar të ashtuquajturat kredi të gjelbra. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës u zotua për përmbushjen e objektivave të detyrueshme të BRE-së (burimet e ripërtëritshme të energjisë), të cilat ishin përcaktuar dhe miratuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë. Angazhimi i detyrueshëm është arritja e 25 për qind të konsumit final bruto të energjisë.

Në vitin 2020, NLB Group hyri në rrugën e integrimit më intensiv të qëndrueshmërisë në operacionet bankare së bashku me ngjarjen nënshkruese të Parimeve të OKB-së për Banking të Përgjegjshëm, gjithashtu, CSR e NLB Group është përmirësuar vazhdimisht me projekte që ndjekin Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OZHQ të OKB-së).

Pandemia e Covid-19 ka forcuar agjendat bankare në lidhje me menaxhimin e rrezikut klimatik dhe në këtë mënyrë është ndërmarrë një zbatim më gjithëpërfshirës i faktorëve të ESG-së.

ESG paraqet një sfidë të re për sektorin bankar, pasi që është bërë më se e qartë se politika e CSR-së (Përgjegjësia Sociale Korporative) e shtrirë vetëm në fushën e mbrojtjes së mjedisit thjesht nuk do të mjaftojë. Bankat janë një komponent thelbësor i ekosistemit të ESG-së, kalimi në një bankë të qëndrueshme kërkon përshtatjen e shumicës së proceseve bankare, si dhe ndryshime në kulturën bankare, megjithëse përfitimet e një përshtatjeje të tillë sigurisht që do të shpërblehen ndërsa ne përpiq emi për një të ardhme më të mirë për shoqërinë dhe planetin tonë.

Projektet e mëdha po mbështeten nga bankat me qëllim të financimit të qëndrueshëm. SOWI Kosovo L.L.C është një nga fermat më të mëdha të turbinave me erë (e përbërë nga 27 turbina me erë) në rajon dhe në të njëjtën kohë IHD-të më të mëdha në Kosovën e pasluftës përfaqësojnë një nga rastet ku NLB Banka j.s.c. Prishtina së bashku me NLB d.d, BERZH-in dhe Erste Bank kanë bashkë-financuar projektin me kosto totale të investimit prej 169 milion euro.

==

Shkrimi “Adresimi i risqeve përmes mundësisë së rritjes së financimit të qëndrueshëm” i z. Armond Dranqolli është pjesë e edicionit të 19-të të publikimit “Financimi i Qëndrueshëm” të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Shkrimi është ripublikuar nga Kosovo.Energy.

Publikimin e plotë mund t’a gjeni duke klikuar këtu.

Jeton Shatri

Koordinator për Risk & Koordinator për ESG, NLB Banka Prishtina

Mirsad Hakaj

Zyrtar Kryesor për Risk & Zyrtar për ESMS, NLB Banka Prishtina