Search

Kujdesi për burimet tona të energjisë duhet të jetë një objektiv i përbashkët

27 Nëntor, 2023


Në kohët kur temperaturat shënojnë rënie ndërsa konsumi i energjisë shënon rritje të jashtzakonshme, kujdesi për burimet tona të energjisë duhet të jetë një objektiv i përbashkët i të gjithëve.

Çdo veprim në drejtim të kursimit të energjisë elektrike, sado i vogël që mund të duket, ka ndikim të jashtzakonshëm në stabilitetin e sektorit elektroenergjetik në vend. Të gjithë konsumatorët, qoftë të sektorit privat, industrial, apo edhe amvisëritë, luajn rol kritik në kursimin e energjisë dhe kësisoji, ndikojnë në të ardhmen e qëndrueshme dhe të sigurtë energjetike.

Sezoni i dimrit sjell sfida të veçanta për sektorin e energjisë. Rritja e përdorimit të ngrohjes rëndon kërkesën për energji, andaj, sipas mundësive, duhet kursyer në ngrohje, kjo përveç që sjell fatura më të ulëta dhe përfitime materiale për konsumatorët, ka rëndësi të veçantë edhe në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.

Si shembull, për të adresuar këtë çështje specifike në fushën e gastronomisë, përdorimi i ngrohjes elektrike në hapësirat e jashtme duhet të mos praktikohet. Andaj gastronomëve, por edhe amvisërive, u bëj thirrje për të adresuar nevojat për ngrohje duke gjetur forma më alternative dhe më efiçiente të ngrohjes duke qenë se përdorimi i teknologjive efiçiente dhe pajisjeve me konsum të ulët përbën një mjet efektiv për zvogëlimin e konsumit të energjisë, si në shtëpi poashtu dhe në biznese.

Menaxhimi i përgjegjshëm i energjisë përveç që duhet vlerësuar si obligim për të gjithë ne, është një strategji thelbësore për të bërë ndryshime pozitive.

Praktikat e kursimit të energjisë dhe përfitimet që vijnë me to kanë ndikim të madh në sjelljen e përgjithshme të konsumatorëve dhe në sigurinë e sistemit elektroenergjetik në Kosove. Përmes ndërgjegjësimit dhe veprimeve individuale, mund të ndikojmë në mënyrë të qëndrueshme në rritjen e efikasitetit dhe stabilitetit të sektorit të energjisë në vend.

Kujdesi për burimet tona të energjisë duhet të jetë një objektiv i përbashkët.

Kursimi i energjisë nuk është thjesht një zgjedhje personale, por një nismë kolektive për të formësuar një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme. Bashkëpunimi për përdorimin më të arsyeshëm të energjisë elektrike do të sigurojë në furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurtë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.

Jeton Mehmeti

Jeton Mehmeti është Kryesues i Bordit të Drejtorëve në KOSTT.