Search

Energjia e ripërtëritshme: tregimi që bashkon në Kosovë investitorë dhe ndërmarrës nga e gjithë bota

10 Gusht, 2020


Pesë vite më herët, përkundër potencialit projektet e mëdha të energjisë së gjelbër në Kosovë nuk po arrinin të zbatoheshin. Një numër projektesh tani më kishin filluar së bëri disa studime preliminare, por përkundër politikave lehtësuese publike, pothuajse të gjitha projektet e energjisë së ripërtrishme përfundonin aty diku pas autorizimit preliminar, kryesisht për mungesë të financimit dhe kredibilitetit karshi institucioneve financuese ndërkombëtare.

Ani pse në rritje, vlera e investimeve direkte të huaja nuk është e mjaftueshme për nevojat ekonomike të vendit. Kosova vazhdon të ballafaqohet me situatë të rënduar politike dhe ekonomike, me limite të ndryshme bankare që pamundësojnë investimet në projekte serioze dhe në shuma të mëdha, si dhe mungesë të tregjeve financiare dhe të atyre të sigurisë së investimit. E gjithë kjo, edhe më shumë vështirëson realizimin e projekteve të mëdha në vend, përfshirë edhe ato të energjisë së ripërtrishme.

Kosova ka nënshkruar një numër marrëveshjesh ndërkombëtare që kanë sjellur edhe një numër obligimesh, ndër to edhe prodhimin e energjisë së ripërtrishme elektrike pa bërë dëme në mjedis, me qëllim të diversifikimit të burimeve të energjisë. Plotësimi i këtyre marrëveshjeve është parakusht për proceset e ndryshme të integrimit, përfshirë edhe ato të integrimit në BE.

Rrjedhimisht, në vend janë disejnuar politika të nxitjes së investimeve në sektorin e energjisë. Duke promovuar investimet përmes një numri mekanizmash, sikurse skema / tarifat e përkrahjes, që përfshijnë edhe përcaktimin e cmimit të blerjes së energjisë së prodhuar për periudhë të caktuar kohore. Këto politika edhe kanë ndikuar në rritjen e numrit të investitorëve dhe investimeve në sektorin e energjisë, si dhe në krijimin e tregimeve të suksesshme të bashkëpunimit, sikurse tregimi i kompanisë SOWI Kosovo dhe tri parqeve të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë, me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh.

Kur filluam studimet e shpejtësisë së erës për projektin tonë energjetik të prodhimit të rrymës nga era, nuk dinim se cfarë të prisnim. Në Kosovë ka mungesë të të dhënave më specifike mbi shpejtësinë e erës. Atëherë kur studimet tregonin që kishim erë, dhe atë më se të mjaftueshme, problemet vetëm sa fillonin të rriteshin. Kërkoheshin studime tjera, shembull edhe ato të transportit të pajisjeve pasi që transportimi i pajisjeve vështirësohej shumë në mungesë të infrastrukturës rrugore. Edhe për këtë duhej studim, nga institucion kredibil, të pranueshëm nga institucionet financiare. E pas studimit, normalisht, nevojitet investim për të përmirësuar infrastrukturën, ndryshe, pajisjet nuk mund të transportohen.

Me rritjen e problemeve rritej edhe vlera e investimit. E me rritjen e vlerës së investimit, zvogëlohej mundësia e financimit. Me infrastrukturë të rënduar, mungesë të rrugëve etj, e rëndësishme ishte që era të ketë shpejtësi të mirë dhe të mjaftueshme për të arsyetuar investimin. Dhe ashtu doli.

Përkundër vlerave të larta të shpejtësisë së erës, por edhe të vullnetit të institucioneve në Kosovë për të realizuar projekte madhore të prodhimit të energjisë së ripërtrishme, për Kosovën ishte hera e parë të pranonte një investim aq të lartë në sektorin e energjisë.

Në anën tjetër, edhe për institucione ndërkombëtare financuese ishte hera e parë të financonin një projekt të tillë madhor në Kosovë. Përvec marrjes së mbi 25 lejeve që kërkohen në vend për të autorizuar dhe ndërtuar projekte të prodhimit të energjisë elektrike nga burime të ripërtrishme të erës nga një numër institucionesh, projektet duhet të kalojnë edhe nëpër një numri procesesh të autorizimit, studimit dhe ndërtimit të kredibilitetit me institucione ndërkombëtare financiare, para se si të tilla të vlerësohen për financim.

Sot, pesë vite më vonë, projekti jonë është duke u përfunduar në Bajgorë. Tri projekte të reja të prodhimit të rrymës nga era në Bajgorë, Mitrovicë janë afër përfundimit të ndërtimit. 27 turbina nga prodhuesi GE, me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh në orë, do të prodhojnë energji të gjelbër, për të ndikuar pozitivisht në furnizimin me energji elektrike, si dhe do të ndihmojnë Kosovën në arritjen e caqeve të përcaktuara të prodhimit të energjisë së ripërtrishme.

Nuk është hera e parë që sfidat tejkalohen me bashkëpunim të mirëfilltë. Projekti i SOWI në Kosovë ka bashkuar investitor nga Kosova, Gjermania dhe Izraeli në njërën anë, deri sa Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhuruar 58 milion euro për ndërtimin e projektit.

Kjo shumë aq e madhe dhurohet për herë të parë në Kosovë nga BERZh në formë të kredisë, krahas kredive tjera të dhuruara nga Erste Group dhe Banka NLB, me mbulim nga Agjencia Gjermane ‘Euler Hermes’. Si e tillë është shumë e rëndësishme, edhe për ndërtimin e kredibilitetit të vendit karshi institucioneve ndërkombëtare financiare dhe në nxitjen e zhvillimit të projekteve tjera të ngjashme.

Kosova vendi që furnizimin me energji elektrike e ka kryesisht të bazuar në linjit, falë bashkëpunimit të institucioneve, ekspertëve dhe individëve nga shumë vende në botë, së shpejti do të përfitojë nga furnizimi me energji më të pastër elektrike, nga parku më i madh i erës në vend, por edhe ndër më të mëdhenjtë në rajon.

Ilir Grapci

Ilir Grapci