Search

Adresimi i risqeve përmes mundësisë së rritjes së financimit të qëndrueshëm

28 Shkurt, 2022


Plotësimi i kritereve Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse (ESG) është bërë prioritet për organizatat dhe Institucionet Financiare globale, pa përjashtuar edhe Institucionet Financiare që operojnë në Kosovë. Kjo sidomos, pasiqë Bankat Zhvillimore (Multilateral Development Banks) dhe donatorët kanë vendosur standarde mbi bankat lokale me qëllim të adaptimit të praktikave më të qëndrueshme të financimit ndërsa investitorët po përdorin gjithnjë e më shumë kriteret e ESG-s për të vlerësuar Institucionet Financiare në të cilat ata dëshirojnë të investojnë.

Sipas raportit të vitit 2021 të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror (World Economic Forum), top risqet për vitin 2021 në nivel global kanë të bëjnë me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Sidoqoftë, në prespektivë, risqet mjedisore dhe klimatike do të ekspozohen edhe më shumë dhe sfidat për adresimin e tyre vetëm sa do të rriten dhe do të bëhen me komplekse dhe obligative për të gjithë akterët. Në anën tjetër, shumë organizata dhe Institucione Financiare kanë filluar me aplikimin e praktikave të ESG-së në proceset e tyre të brendshme të qeverisjes që janë të ndërlidhur me aktivitetet e tyre dhe ndikimin e tyre në aspektin mjedisor dhe social. Një ndër sfidat kryesore mbetët identifikimi dhe analizimi i risqeve materiale dhe adresimi i tyre përmes mundësisë së rritjes së financimit të qëndrueshëm duke integruar politika të shëndosha të ESG-së në aktivitetet ditore të operimit. Po ashtu, shumë nga rregullatorët dhe donatoret kërkojnë nga organizatat dhe Institucionet Financiare të shpalosin në raportet e tyre vjetore të gjitha veprimet e ndërmarra rreth politikave dhe praktikave të qëndrueshme të financimit.

Në anën tjetër, institucionet financiare luajnë rol kyç në këtë proces dhe janë përcaktues në avancimin e këtyre temave nga aspekti i financimit të sektorëve të caktuar që janë më të ndjeshme ndaj mjedisit dhe çështjeve sociale. Sidoqoftë, kjo përgjegjësi duhet të nis nga qeverisja korporative e vet Institucionit Financiar, duke filluar nga rishikimi i misionit dhe vizionit aktual, pastaj amandamentimi i politikave ekzistuese të brendshme të kreditimit duke përafruar gra[1]dualisht portofolin e saj kreditor me objektivat e ESG-së. Si rezultat, institucionet financiare duhet të in kurajojnë financimin e sektorëve të caktuar të ndjeshëm ndaj mjedisit dhe përkrahin kompanitë që promovojnë përmirësimin e kushteve të punës, përfshirjen gjinore dhe diversitetin në tregun e punës. Pra, të gjitha këto tema duhet adresuar dhe adaptuar në politikën ditore e të bërit biznes.

Në anën tjetër, qeveria qendrore dhe lokale ka rol kyç në zhvillimin e strategjisë dhe ligjeve të nevojshme që promovojnë dhe stimulojnë një qasje me pro-aktive rreth temave të ESG-së pasi që këto iniciativa do të përshpejtojnë adaptim më gjithëpërfshirës të të gjitha palëve në këtë synim.

Po ashtu, qeveria përmes emetimit të instrumenteve financiare (green bonds) mund të alokojë mjete financiare direkte të cilat mund të përdoren për financimin e projekteve që kanë përfitime direkte mjedisore dhe sociale. “Në fund, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për kalimin nga sistemi financiar tradicional në një sistem të qëndrueshëm financiar dhe për këtë arsye të gjithë duhet të punojmë së bashku për arritjen e këtij qëllimi”.

==

Shkrimi “Adresimi i risqeve përmes mundësisë së rritjes së financimit të qëndrueshëm” i z. Armond Dranqolli është pjesë e edicionit të 19-të të publikimit “Financimi i Qëndrueshëm” të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Shkrimi është ripublikuar nga Kosovo.Energy.

Publikimin e plotë mund t’a gjeni duke klikuar këtu.

Armond Dranqolli

Chief Risk Officer (CRO) at Banka Ekonomike SH.A. / CRM