Search

OKB: Premtimet e reja për klimën do të ulin emetimet për vetëm 2 për qind në dekadën e ardhshme

03 Mars, 2021


Premtimet e fundit të vendeve për klimën dhe zvogëlim të emetimeve nuk plotësojnë kërkesat dhe synimet e përcaktuara në Marrëveshjen e Parisit, thotë studimi i ri i OKB-së.

Studimi i ri i OKB-së hulumton mbi ndikimin e përbashkët të 48 synimeve të përcaktuara kombëtare të cilat janë dorëzuar nga vendet në fund të vitit që po lëmë pas.

Ndërsa nga shtetet ishte kërkuar të vendosnin synime më ambicioze, raporti i fundit i OKB-së tregon se në përgjithësi, synimet e reja do të kenë ndikim të vogël në ndryshimet klimatike dhe në zvogëlim të emetimeve.

Vlera e përbashkët e zvogëlimit të emetimeve përmes synimeve të reja është rreth 3 për qind më e vogël se vlera e promovuar në synimet e përcaktuara nga shtetet në vitin 2015.

Për më shumë, synimet e reja do të ndikojnë që emetimet të jenë vetëm 0.5 për qind më të ulëta në vitin 2030 krahasuar me vitin 2010 dhe 2.1 për qind më të ulëta se ato në vitin 2017, ndërsa shkenctarët kishin thënë se emetimet duhen ulur për 45 për qind për të mbajtur temperaturën nën 1.5 celcius.

Ndërsa emetuesit më të mëdhenj në botë – SHBA-të dhe Kina, ende nuk kanë dorëzuar synimet e reja edhe pse afati ka dy muaj që ka kaluar, raporti thekson se palët duhet të fuqizojnë edhe më shumë përkushtimin për masa të lehtësimit dhe të zvogëlimit të emetimeve.

Nevojiten plane më ambicioze

Çdo pesë vite, palët nënshkruese të Marrëveshjes së Parisit duhet të dorëzojë synimet e azhurnuara të zvogëlimit të emetimeve.

Ky proces është shumë i rëndësishëm pasi rundi i parë i synimeve i dorëzuar nga shtetet as për së afërmi nuk do të ndihmonte arritjen e qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit për kufizim të ngrohjes globale.

Edhe pse shumë shtete kanë thënë se synimet e përcaktuara nga ta janë në pajtueshmëri me qëllimet e Marrëveshjes së Parisit, për të treguar të kundërtën OKB ka përdorur gjetjet e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike (PNNK).

Sipas PNNK, emetimet në nivel global të dyoksidittë karbonit duhet të zvogëlohen për 45 për qind në 2010 dhe 2030 me qëllim që të arrihet vlera e ngrohjes globale në 1.5 celcius. Ndërsa, nëse emetimet do të zvogëloheshin për 25 për qind, atëherë vlera e ngrohjes globale do të ishte nën 2 gradë celcius. Përvec dioksidit të karbonit, edhe vlerat e emetimeve të elementeve tjera duhen zvogëluar dukshëm.

Sidoqoftë, raporti i ri thotë se emetimet e përgjithshme nga shtetet që kanë paraqitur synime të reja do të jenë vetëm 0.5 për qind më të ulëta në vitin 2030 krahasuar me vitin 2010 dhe 2.1 për qind më të ulëta se ato në vitin 2017.

Por, raporti i OKB-së thekson se në baza individuale, shumë shtete në fakt kanë rritur ambicjet për ndryshimet klimatike.

Në komunikatën për media thuhet se Britania dhe BE janë përkushtuar për rritje të vlerave të synuara të zvogëlimit të emetimeve.

Por, përkundër rritjes së përkushtimit, emetimet e përgjithshme që pritet të ndodhin këtë dekadë nga këto dy vende janë përcaktuar të jenë vetëm 2.8 për qind më të vogla se synimet e para. Kjo vlerë përbën rreth 0.8 për qind të emetimeve të përgjithshme globale sot.

Raporti i fundit i OKB-së për synimet e reja për zvogëlim të emetimeve mbulon vetëm 48 vende, duke përfshirë edhe 27 vendet anëtare të BE-së.

Emetimet e përgjithshme të këtyre vendeve në vitin 2017 ishin vlerësuar të jenë rreth 14GtCO2, ose vetëm 29 për qind të emetimeve globale.