Search

Nxitja e investimeve të huaja në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë

08 Maj, 2023


Nxitja e investimeve të huaja në Kosovë vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha ekonomike. Qeveria nuk po bënë mjaftueshëm për nxitjen e tyre, por po i degradon ata, vlerësojnë njohës të ekonomisë. Së fundi, qeveria ka shfuqizuar një vendim ndaj një kompanie që përfshinte eksplorimin dhe verifikimin e burimeve minerale.

Mungesa e stabilitetit ekonomik është emërues i përbashkët i gjithë këtyre pasojave ekonomike dhe investimeve strategjike në Kosovë, të cilat do të gjeneronin edhe vende pune. Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, duke folur për Radio Kosovën, thotë se përjashtimi i investitorëve nga Kosova, dëmton imazhin e Kosovës

“Në Kosovë jo vetëm që po ikin investitorët e huaj, por nëse vazhdohet me këtë mënyrë, në mungesë të dialogut të mirëfilltë publiko-privat, do të ikin edhe vendorët. Kosova në këtë drejtim është duke bërë shumë pak, dhe në qoftë se sot kur kriza energjetike e ka arritur kulmin e efekteve negative, dhe kur ne e largojmë çfarëdo lloj investitori në energji alternative, qoftë me erë, panele solare apo hidro-burime, është diçka që duhet të analizohet”, tha ai.

Burokracia vazhdon të mbetet problematike ndaj investitorëve strategjikë, vlerëson për Radio Kosovën Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit.

“Burokracia pavarësisht potencialit ato nuk janë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, ka pasur mundësi që të kemi një termocentral më gjigantin në Evropë, dhe i cili jo vetëm për të prodhuar për ne por edhe për të eksportuar energji elektrike dhe kjo ka ardhur si refuzim i institucioneve të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Ekspertët vlerësojnë se për vitin 2023, qeveria duhet të avancojë në eliminim e shumë barrierave administrative e burokratike, me të cilën sot përballen jo vetëm bizneset vendore, por edhe investitorët e huaj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës së fundi ka shfuqizuar një vendim për një nga investitorët strategjikë, një kompanie që përfshinte eksplorimin dhe verifikimin e burimeve minerale. Kompania në fjalë kishte planifikuar investime deri mbi 45 milionë euro, e ku do të punësoheshin 300 punëtorë. Ky investim do të realizohej në prona publike dhe private të fshatrave Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

/RTKLive