Search

Nisja e punëve për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosova B” shtyhet për vitin e ardhshëm

18 Shkurt, 2022


Disa herë deri tash është shtyrë nisja e punëve për realizimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave në termocentralet Kosova B, edhe pse ka kohë që është i rrumbullaksuar edhe financiarisht ky projekt. Tani nisja e këtyre punëve, të planifikuara të bëhen në muajin shkurt të këtij viti, është shtyrë për në vitin e ardhshëm. Fondi prej 76,4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për finalizimin e këtij projekti rivitalizues në Kosovën B është i siguruar nga BE-ja dhe nga KEK-u.

Termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre, mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem. Sipas ekspertëve të KEK-ut, me dy-tre projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha, “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet. Pra, poqese bëhen riparimet e planifikuara në to, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045. Për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit në Kosovën B, duhet të ndërrohen filtrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë.

Me ndërrimin e filtrave te B-ja, përkatësisht instalimin e filtrave të rinj, teknologji më moderne, dhe ‘fjala e fundit’ e teknikës, do të bëhej reduktimi i pluhurit në minimum. Dhe nëpërmjet ndërhyrjes – riparimit të procesit të djegjes reduktohen maksimalisht materiet ndotëse dhe të dëmshme për shëndetin (NOX).

Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e NOX, është tashmë i rumbullaksuar edhe financiarisht. Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtyre dy projekteve rivitalizuese në Kosovën B është i siguruar tërësisht nga BE-ja. Madje, është siguruar nga vet KEK-u edhe shuma e paraparë për riparimin e disa stabilimenteve të Kosovës B, të zbuluara në ndërkohë dhe që janë konstatuar nga ekspertët e KEK-ut si të domosdoshme për t’u riparuar para se të nisë puna e ndërrimit të Elektrofiltrave. Kjo shumë e mjeteve, e nevojshme për këto riparime shtesë në Kosovën B, është diku rreth 14 milionë euro, mjete këto që janë zotuar nga vet KEK-u.

Megjithëkëtë, nisja e punëve për realizimin e këtyre projekteve është shtyrë deri tash disa herë me radhë, për shkak të pandemisë fillimisht dhe pastaj për shkaqe të krizës energjetike të shpërfaqur edhe në vendin tonë dhe së fundi për shkak të vazhdimit të krizës energjetike, por edhe të punëve shtesë të riparimit të disa stabilimenteve të këtij termocentrali, që duhet bërë paraprakisht, pra para se të fillojë vendosja e elektrofiltrave, projektit për të cilin BE-ja ka siguruar mjetet financiare.

Kronologjikisht, pak a shumë kështu janë shtyrë punët rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B: Fillimisht ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020, por është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022. Dhe tani së fundi, janë zbuluar stabilimentet që kanë nevojë të domosdoshme për t’u riparuar para vendosjes së elektrofiltrave, por edhe për shkak të krizës energjetike që ka përfshirë edhe Kosovën, për zbutjen e së cilës energjia e prodhuar në Kosovën B është tepër e nevojshme. Me planifikimet e mëhershme dhe parashikimet e bëra në KEK, mendohej që këto projekte, ndërrimi i elektrofiltrave dhe ndërhyrja në procesin e djegies për ta reduktuar NOX në Kosovën B, të përfundojnë më 15 tetor 2023. Por me shtyrjen e sërishme të këtyre punëve kanë ndryshuar edhe afatet e implementimit të këtij projekti.

Tani, siç kanë bërë me dije zyrtarët e KEK-ut për Buletinin Ekonomik, në vitin e ardhshëm do të nisin punët për ndërrimin e elektrofiltrave fillimisht në B1, të cilat do të zgjatin rreth një vit të plotë. Kështu, i bie që B1 të rikthehet në prodhim goxha i rinovuar dhe me elektrofiltra të standardeve të BE-së më 2024. Dhe pas rikthimit në prodhim të B1-shit, do të nisin punët rreth rinovimit dhe vendosjes së elektrofiltrave edhe në B2, të cilat punë, po kështu, do të zgjasin rreth 1 vit, që do të thotë se B2-shi me elektrofiltra të instaluar dhe i rinovuar të rikthehet në punë më 2025.

Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth implementimit të projektit për vendosjen e elektrofiltrave është paraparë t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut. Projekti tjetër, i ashtuquajturi FDG (SOX)-ndërrimi i impiantit të nevojshëm për reduktimin e SOX, parashihet të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe të vihet në funksion, pra të kryhet si projekt më 1 janar 2028. Tash për tash është në proces të përgatitjes dhe është futur në procedurat shqyrtuese të BE-së.

/Buletini Ekonomik