Search

Në një shtet ndodhen 83 nga 100 qytetet me ajrin më të ndotur në botë

21 Mars, 2024


Në një shtet në Azi ndodhen shumica e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Sipas renditjes që ka bërë për vitin 2023 IQAir, organizatë zvicerane e cila përpunon të dhënat e mijëra stacioneve të monitorimit në botë, këto qytete kanë tejkaluar udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për cilësinë e ajrit me më shumë se 10 herë. Sipas të dhënave të OBSH-së, miliona njerëz vdesin çdo vit nga problemet shëndetësore që lidhen me ndotjen e ajrit

Të gjitha, përveç njërit prej 100 qyteteve me ndotjen më të madhe të ajrit në botë vitin e kaluar, ndodhen në Azi. Sipas raportit më të ri për cilësinë e ajrit në botë, kriza klimatike luan rol kryesor në cilësinë e keqe të ajrit, që thuhet se po rrezikon shëndetin e miliarda njerëzve në mbarë botën.

Sipas raportit të organizatës zvicerane, e cila përpunon të dhënat e grumbulluara nga mijëra stacione të monitorimit të vendosura nëpër botë, IQAir, shumica dërrmuese e këtyre qyteteve, 83, ndodhen në Indi dhe të gjitha kanë tejkaluar udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për cilësinë e ajrit me më shumë se 10 herë.

Studimi analizoi në mënyrë specifike grimcat e imëta, ose PM2.5, që janë ndotësi më i imtë, por edhe më i rrezikshmi. Vetëm 9% e më shumë se 7,800 qyteteve kishin cilësinë e ajrit që e plotësonte standardin e OBSH-së, sipas të cilit nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub.

“Ne shohim se në secilën pjesë të jetëve tona ndotja e ajrit ka një ndikim. Dhe në mënyrë tipike, në disa prej shteteve më të ndotura ka të ngjarë që jeta e njerëzve të shkurtohet midis tre deri në gjashtë vjet”, ka thënë Frank Hammes, themeluesi i IQAir Global.

Kur thithet, PM2.5 udhëton thellë në indet e mushkërive dhe atje mund të hyjë në gjak dhe të qarkullojë në rup. Ai krijohet nga burime si djegia e lëndëve djegëse fosile, stuhitë e pluhurit dhe zjarret, dhe është e lidhur me astmën, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, kancerin dhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes, si dhe me dëmtime të aftësive njohëse te fëmijët.

Begusarai, një qytet me gjysmë milioni banorë në veri të shtetit Bihar të Indisë, ishte qyteti më i ndotur në botë vitin e kaluar, me një koncentrim mesatar të PM2.5 në 118.9, duke tejkaluar 23 herë udhëzuesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Në rangimet e IQAir, pas tij janë listuar qytetet indiane: Guwahati, Assam, Delhi, Mullanpur dhe Punjab.

Sipas raportit nëpër Indi, 1.3 milionë njerëz apo 96% e popullatës jetojnë me kualitet të ajrit shtatë herë më të ndotur se standardi i OBSH-së,.

Rajonet me performancën më të keqe globalisht sa i përket cilësisë së ajrit thuhet se janë Azia Qendrore dhe Jugore. Atje ndodhen katër shtetet me ajrin më të ndotur vitin e kaluar: Bangladeshi, Pakistani, India dhe Taxhikistani.

Me 29 nga 30 qytetet më të ndotura në Indi, Pakistan dhe Bangladesh, Azia Jugore paraqet një shqetësim të veçantë. Raporti renditi qendrat kryesore të popullsisë së Lahores në vendin e 5-të, Nju Delhin në vendin e 6-të dhe Dhakan në vendin e 24-t.

Hammes ka thënë se asnjë përmirësim i rëndësishëm në nivelet e ndotjes në rajon nuk ka të ngjarë të ndodhë pa “ndryshime të mëdha në drejtim të infrastrukturës së energjisë dhe praktikave bujqësore”.

“Ajo që është gjithashtu shqetësuese në shumë pjesë të botës është se gjërat që shkaktojnë ndotjen e ajrit të jashtëm janë gjithashtu nganjëherë ato që po shkaktojnë ndotjen e ajrit të brendshëm”, ka thënë ai. Sipas Hammes, gatimi me lëndë djegëse ndotëse mund të jetë shumë më i dëmshëm sesa ajri i ndotur jashtë.

Një problem global

IQAir zbuloi se 92.5% e 7,812 matësve të vendosur në 134 vende, rajone dhe territore që analizuan cilësinë mesatare të ajrit vitin e kaluar tejkaluan udhëzimet e OBSH-së për PM2.5.

Vetëm 10 vende dhe territore kishin cilësi të “shëndetshme” të ajrit: Finlanda, Estonia, Porto Riko, Australia, Zelanda e Re, Bermuda, Grenada, Islanda, Mauritius dhe Polinezia Franceze.

Miliona njerëz vdesin çdo vit nga problemet shëndetësore që lidhen me ndotjen e ajrit. Sipas një studimi të botuar në revistën BMJ, në nëntor të vitit të kaluar, çdo vit ndotja e ajrit nga lëndët djegëse fosile po vret 5.1 milionë njerëz në mbarë botën. Ndërkohë sipas OBSH-së, 6.7 milionë njerëz vdesin çdo vit nga efektet e kombinuara të ndotjes së ajrit të ambientit dhe të ajrit të ndotur brenda shtëpive.

Sipas raportit të IQAir, kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu, e nxitur nga djegia e lëndëve djegëse fosile, luan një rol qendror në nivelin e ndotjes së ajrit.

“Kriza klimatike po ndryshon modelet e motit, duke çuar në ndryshime të erërave dhe reshjeve, të cilat ndikojnë në shpërndarjen e ndotësve. Ndryshimet klimatike vetëm sa do ta përkeqësojnë”, thuhet më tej në raport.

Kriza klimatike po çon gjithashtu në zjarre më të mëdha në shumë rajone dhe sezone më të gjata dhe më intensive të polenizimit, të cilat bashkë ndikojnë në përkeqësimin e sëmundjeve që lidhen me ndotjen e ajrit.

“Çdo gjë që mund të bëjmë për të reduktuar ndotjen e ajrit do të jetë jashtëzakonisht ndikuese në afat të gjatë edhe për përmirësimin e emetimeve tona të gazit klimatik dhe anasjelltas”, thekson raporti.

Ndikimi i zjarreve në cilësinë e ajrit

Amerika e Veriut u prek keq nga zjarret që shpërthyen në Kanada nga maji deri në tetor të vitit të kaluar. Sipas raportit, në maj të vitit 2023 mesatarja mujore e ndotjes së ajrit në Alberta ishte nëntë herë më e madhe krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2022.

Dhe për herë të parë Kanadaja tejkaloi Shtetet e Bashkuara në renditjen rajonale të ndotjes së ajrit.

Zjarret prekën edhe qytetet amerikane si Minneapolis dhe Detroit, ku mesatarja vjetore e ndotjes u rrit me 30 deri 50% krahasuar me një vit më parë. Qyteti i madh amerikan më i ndotur në vitin 2023 ishte Columbus, Ohio, për të dytin vit radhazi. Por qytetet e mëdha si Portland, Seattle dhe Los Anxhelos pësuan rënie të konsiderueshme në nivelet mesatare vjetore të ndotjes, thuhet më tej në raport.

Kina ndërkohë përmbysi një prirje pesëvjeçare të uljes së niveleve të ndotjes, thuhet në raport. Qytetet kineze dikur dominonin renditjen globale të cilësisë më të keqe të ajrit në botë, por një sërë politikash për ajër të pastër gjatë dekadës së fundit atje i kanë transformuar gjërat për mirë.

Një studim i vitit të kaluar kishte zbuluar se fushata e ndërmarrë për ulje të ndotjes së ajrit nënkuptonte që jetëgjatësia mesatare e qytetarit kinez tani është 2.2 vjet më e gjatë. Por smogu i dendur u kthye në Pekin vitin e kaluar, ku pati një rritje prej 14% në përqendrimin mesatar vjetor të PM2.5, sipas raportit të IQAir. Qyteti më i ndotur i Kinës, Hotan, u rendit në vendin e 14-të në renditjen e IQAir.

Sipas raportit në Azinë Juglindore, vetëm Filipinet panë një rënie të niveleve vjetore të ndotjes në krahasim me vitin e kaluar.

Indonezia ishte vendi më i ndotur në rajon, me një rritje prej 20% krahasuar me vitin 2022. Ajo bashkë me Vietnamin dhe Tajlandën kishin të gjitha qytetet që tejkaluan udhëzimet e OBSH PM2.5 me më shumë se 10 herë, sipas raportit.

Muajin e kaluar autoritetet tajlandeze urdhëruan punonjësit e qeverisë të punojnë nga shtëpia për shkak të niveleve jo të shëndetshme të ndotjes në kryeqytetin Bangkok dhe zonat përreth, sipas Reuters. Një javë më parë qyteti turistik Chiang Mai ishte më i ndoturi në botë pasi smogu toksik i krijuar nga djegia sezonale bujqësore mbuloi pjesën veriore të qytetit.

Mungesë e të dhënave për cilësinë e ajrit në shumë rajone

Raporti theksoi gjithashtu një pabarazi shqetësuese: mungesën e stacioneve të monitorimit në vendet në Afrikë, Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme, gjë që rezulton në një mungesë të të dhënave për cilësinë e ajrit në ato rajone.

Edhe pse Afrika pa një përmirësim në numrin e vendeve të përfshira në raportin e këtij viti në krahasim me vitet e mëparshme, kontinenti mbetet kryesisht më i nënpërfaqësuari. Sipas IQAir, vetëm 24 nga 54 vende afrikane kishin të dhëna të mjaftueshme në dispozicion nga stacionet e tyre të monitorimit.

Shtatë vende afrikane ishin ndër vendet e reja të përfshira në renditjen e vitit 2023, duke përfshirë Burkina Fason, vendi i pestë më i ndotur në botë dhe Ruandan, në vendin e 15-të.

Disa vende që vitin 2022 u renditën lart në listë për ndotje të ajrit nuk u përfshinë në renditjen e vitit 2023 për shkak të mungesës së të dhënave. Ato përfshijnë Çadin, i cili ishte vendi më i ndotur në vitin 2022.

“Ka ende shumë ndotje të ajrit në planet për të cilën nuk dihet”, është shprehur Hammes.

Një pikë e ndritshme, sipas tij, është rritja e presionit dhe angazhimit qytetar nga komunitetet, organizata joqeveritare, kompanitë dhe shkencëtarët për të monitoruar cilësinë e ajrit.

“Në fund të fundit kjo është e mirë, sepse me të vërtetë u tregon qeverive se njerëzit kujdesen”, ka përfunduar ai.

/Koha.net