Search

Në luftë ndaj krizës energjetike: Kosova pritet të caktojë çmimin tavan për peletin

01 Gusht, 2022


Pas krizës energjetike që po përballen vendet evropiane dhe që ka afektuar edhe Kosovës, Qeveria ka miratuar shpalljen e masave emergjente për kursim të energjisë, të cilat së shpejti pritet të kalojnë në Kuvendin e Kosovës për votim.

Në kuadër të këtyre masave, ekzekutivi ka bërë të ditur se peleti që shërben si alternativë për ngrohje, do të përfshihet në ligjin për caktimin e çmimeve tavan.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ku kanë folur për marrëveshjen me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, ka thënë se janë në diskutime edhe me shtetet e rajonit për tu furnizuar gjatë dimrit.

Qeveria miraton masat e emergjencës në furnizim me energji

Lexo më shumë

“Janë gjithashtu duke ndodhur ose veçse kanë ndodhur në nivel politik ose ne nivel teknik bisedime me shtete të tjera mike, siç janë Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut, për të parë mundësitë e maksimizimit të bashkëpunimit edhe në shkëmbim të energjisë por jo vetëm, për të mundësuar përftimin e energjisë në kushte më të mira gjatë muajve të dimrit”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli ka thënë se janë të vetëdijshëm që janë rritur çmimet e peletit dhe se do të marrin masa edhe në këtë drejtim.

“Sa i përket çmimit të peletit e kemi parasysh situatën në treg, e cila kemi një rritje të çmimit e cila vjen kryesisht si pasojë e rritjet së çmimit të importit, jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe peleti do të përfshihet në ligjin që parashihet për përcaktimin e çmimeve tavan, përveç kësaj do të shohim edhe mundësi të tjera të bashkëpunimit me sektorin privat me prodhuesit vendorë të peletit për të parë nëse mund të rritet prodhimi i tyre”, tha ajo.

Kriza energjetike: Në Francë kërkohet të ndalen kondicionerët, në Spanjë nga punënjonësit kërkohet të largojnë kravatat

Lexo më shumë

Kryeministri Kurti ka thënë se janë angazhuar që të ketë më pak import të energjisë.

“Vitin e kaluar nuk kemi pasur bateri që ta ruajmë energjinë dhe as këtë vit nuk do t’i kemi bateritë. Po përpiqemi të bëjmë maksimumin që të mund të importojmë sa më lirë nëse do të jetë nevoja për një gjë të tillë duke pasur parasysh që fatkeqësisht në kohën e dimrit të ashpër konsumin tonë nuk e mbulon gjenerimi. Aktualisht nuk i kemi ato bateritë që do të mund të thoshim se nuk vlejnë ajo deklaratë me frigoriferë”, tha kryeministri Kurti.

Kurti ka lavdëruar marrëveshjen me MCC-në, duke thënë se Kosova është vendi i parë në rajon që do të ketë bateri që do të ruajnë energjinë.

Ndërkohë, ministrja Rizvanolli ka thënë se zbatimi i projektit është paraparë të nisë 18 deri në 24 muaj pas ratifikimit, proces ky që tashmë ka ndodhur.