Search

Në cilët pesë sektorë duhet vepruar për të zvogëluar emetimet deri më 2030?

20 Shtator, 2022


Është publikuar një raport i emëruar ‘Breakthrough Agenda Report’, që vlerëson prioritetet si dhe veprimet e nevojshme për të arritur qëllimet e përcaktuara në Marrëveshjen e Parisit.

Raporti është përpiluar nga disa institucione, duke përfshinë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) dhe IRENA. Raporti thekson se mungesa e bashkëpunimit ka rrezikuar progresin e përbashkët të shënuar për klimën, si dhe është duke shtyrë targetet e përcaktuara për zvogëlim të emetimeve.

Sipas raportit, në botë kishte pak bashkëpunim ndërkombëtar në lidhje me zhvillimet teknologjike, por se shumë më shumë nevojitet që kombet të arrijnë caqet e përcaktuara klimatike.

Sipas raportit, pesë sektorët në vijim janë përgjegjës për rreth 60% të emetimeve të gazrave serrë.

Vetëm dekarbonizimi i këtyre sektorëve kërkon rezultate emergjente deri në vitin 2030, në mënyrë që të vazhdohet me përpjekjet për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C, sipas kërkesave dhe qëllimeve të përcaktuara në Marrëveshjen e Parisit:

  • Energjia elektrike: Kapacitetet e burimeve të ripërtëritshme të energjisë janë rritur për 130% në dekadën e fundit, ndërsa të atyre jo-të-ripërtëritshme për 24%. Çdo vit, botës i duhet të vendosë kapacitete shtesë solare prej 630 gigavatësh dhe atyre të erës prej 30 gigavatësh deri në vitin 2030, apo katër herë më shumë se rritja që ndodhë për momentin në baza vjetore.
  • Transporti rrugor: Vetëm 9% e veturave të shitura në vitin 2021 në botë ishin me zero emetime. Kjo shifër duhet të rritet në 60% deri më 2030. E për të mundësuar këtë, infrastruktura publike e rimbushjes duhet të rritet 10-fish.
  • Hidrogjeni: Kapacitetet e prodhimit të hidrogjenit nga burimet e ripërtëritshme duhen të rriten nga 1Mt sa ishte në vitin 2020, në 150Mt në vitin 2030.
  • Çeliku: Prodhimi i çelikut përmes metodave që emetojnë pak dioksid karboni për momentin është në 1Mt. Në vitin 2030, kjo vlerë duhet të rritet në 100Mt në mënyrë që të zvogëlohet intensiteti i emetimeve për rreth 30%.
  • Bujqësia: Bujqësia dhe përdorimi i tokës për aktivitete bujqësore është burimi i rreth 20% të emetimeve globale për momentin. Deri në vitin 2030, ky sektor duhet të përqëndrohet në rritje të rendimenteve si dhe të ndalojë zgjerimin e sipërfaqeve bujqësore dhe të blegtorisë për t’i dhënë fund shpyllëzimit.