Search

Ndotja e ajrit, Shqipëria dhe Kosova më shumë makina me naftë se në gjithë Evropën

24 Janar, 2024


Ndotja e ajrit në Kosovë dhe Shqipëri është në nivele alarmante dhe ndër kontribuesit kryesor në këtë ndotje janë automjetet; vjetërsia dhe lënda djegëse e përdorur prej tyre.

Të dhënat zyrtare nga Eurostat, tregojnë se Shqipëria dhe Kosova janë vendet që kanë më shumë makina me naftë se në të gjithë Evropën.

Sipas të dhënave nga viti 2022, në Shqipëri rreth 74% e automjeteve punonin me naftë, ndërsa në Kosovë 82%.

Ndërkohë që në vendet e Europës Perëndimore ndodh e kundërta, pasi shumica e automjeteve në qarkullim janë me benzinë dhe në rritje është energjia alternative.

Holanda ka më pak se 10% të makinave me naftë, ndërsa Turqia mban rekordin për automjetet me energji alternative, me rreth 30% të totalit.

Në 12 nga 23 shtetet anëtare të BE-së për vitin 2022, kishte më shumë makina me benzinë sesa makina me naftë, me përqindjen e makinave me benzinë që varionte nga 85% në Holandë në 47% në Itali. Nga ana tjetër Lituania, Rumania dhe Sllovenia janë vendet e vetme anëtare ku automjetet me naftë tejkalojnë makinat me benzinë.

Po sipas të dhënave nga Eurostat, Kosova dhe Shqipëria janë ndër vendet me më pak automjete në Evropë në raport me popullsinë. Në vitin 2022, në Shqipëri kishte 226 automjete për 1 mijë banorë ndërsa në Kosovë 182 automjete për vitin 2021.

Në rajon, Mali i Zi dhe Serbia janë dy vendet me numrin më të lartë të automjeteve për banorë, përkatësisht 369 dhe 344.