Search

Ndërrimi i elektrofiltrave në Kosovën B bëhet histori, shtyhet sërish për 2025-n

09 Shkurt, 2024


Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B” së fundmi është shtyrë për në prill të 2025-s me kërkesë të BE-së, me arsyetimin se janë paraqitur ca probleme të paparashikuara me kontraktuesit. Ndërsa, disa zëra në KEK, shtyrjen e fundit nga BE-ja e ndërlidhin me pasojat e masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën, për shkak të zhvillimeve politike të ndodhura në veri të Kosovës.

Projekti i ndërrimit të elektrofiltrave në termocentralin Kosova B tashmë ka zënë të bëhet histori. Që nga 2020-a, nisja e punëve për realizimin e projektit për ndërrimin e filtrave në termocentralin Kosova B është shtyrë disa herë, edhe pse ka kohë që është i rrumbullakësuar edhe financiarisht ky projekt.

Gjithmonë, është gjendur ndonjë arsye e shtyrjes së këtij projekti tepër të rëndësishëm edhe për ruajtjen e ambientit nga ndotja e tymtarëve të termocentralit të vjetëruar tashmë Kosova B, edhe për zgjatjen e jetës së këtij termocentrali. Së fundmi, si afat i parashikuar, por edhe i premtuar për të nisë puna për ndërrimin e elektrofiltrave, ishte caktuar prilli 2024, por tani edhe ky afat është shtyrë, ndërsa afati i ri i nisjes së këtij projekti tashmë është paraparë të jetë prilli 2025.

Kronologjikisht, pak a shumë kështu janë shtyrë punët rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B: Fillimisht ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020, por është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022. Pasi punimet ishin planifikuar të fillonin në shkurt të vitit 2022, ato ishin shtyrë për të filluar në vitin 2023. Pastaj, nisja e këtyre punëve, të planifikuara të bëhen në vitin 2023, është shtyrë për vitin 2024.

Fondi prej 76,4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për finalizimin e këtij projekti rivitalizues në Kosovën B, është i siguruar nga BE-ja dhe nga KEK-u. Projekti për ndërrrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B” së fundmi është shtyrë me kërkesë të BE-së, me arsyetimin se janë paraqitur ca probleme të paparashikuara me kontraktuesit.

Ndërsa, disa zëra në KEK, shtyrjen e fundit nga BE-ja e ndërlidhin me pasojat e masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën, për shkak të zhvillimeve politike të ndodhura në veri të Kosovës. Ndërsa në KEK, të enjtën i kanë thënë Buletinit Ekonomik, se ata, siç u është kërkuar, që në vitin e kaluar, i kanë kryer të gjitha punët e kërkuara rreth projektit. Janë përmbyllur intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve, që nuk ishin paraparë fillimisht dhe që më pastaj doli të jetë parakusht i domosdoshëm për t’u plotësuar për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B. Por, në KEK respektojnë kërkesën e investitorit të këtij projekti, dhe presin, nëse nuk ndodhë në ndërkohë ndonjë e papritur, ta fillojnë ndërrimin e elektrofiltrave në prill të 2025-tës.

Realizimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave të ri, është i ndërlikuar dhe kompleks, prandaj edhe kërkon një kohë relativisht të gjatë për ta bërë këtë punë. Vlerësohet nga inxhinierët e këtushëm se për ta bërë vendosjen e elektrofiltrit në njërin bllok të Kosovës B, nevojitet kohë 6 deri në 9 muaj.

Për këtë shkak, siç ka njoftuar sot Buletinin Ekonomik, Skender Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, është paraparë që brenda një viti të bëhet ndërrimi i filtrave në njërin bllok, dhe në vitin tjetër vijuar, në bllokun tjetër. E gjithë kjo me qëllim që të mos ndihet në përmasa të mëdha mungesa e energjisë elektrike, për shkakun e ndërprerjes së punës së njërës njësi të Kosovës B, përderisa të zgjatë ndërrimi i filtrave.

Pas shumë analizave të bëra nga ekspertë të KEK-ut, është vlerësuar dhe konstatuar se Termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre (rreth 40 vjet në prodhim të pandërprerë) mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem, nëse u bëhen ca riparime të domosdoshme. Sipas ekspertëve, me dy- tre projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha, “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për së paku 20 vjet, por edhe t’i shtohet kapaciteti për nja 14-16 megavatë-orë. Më saktësisht, po qe se bëhen pa vonesa të mëdha riparimet e planifikuara, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045 e më shumë.

Ka dominuar, gjithsesi, pikëpamja e ekspertëve se për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit, në Kosovën B, doemos duhet të vendosen elektrofiltrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë. Me instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm i pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër dhe relativisht i amortizuar. Ishte planifikuar dhe paraparë nga ekspertët, që në kuadër të projektit të instalimit të elektrofiltrave, po ashtu të bëhet edhe ripërtëritja dhe vendosja e stabilimenteve të reja të transportit të brendshëm të hirit, dhe projekti i ashtuquajtur i DeNOx-it në kalldatë e termocentraleve B1 dhe B2. Bëhet fjalë për ndërhyrje riparuese dhe ripërtëritëse në stabilimentet e procesit të djegies për t’i reduktuar gazrat e liruara nga linjiti.

Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtij projekti kompleks rivitalizues në Kosovën B ishte siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019. Më saktësisht kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqeuesve të BE-së, është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Europian nëpërmes fondeve IPA.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes IPA III ndërmjet Kosovës dhe BE-së, në vlerë 64 milion euro, në vjeshtën e vitit 2022, kishte thënë saktësisht se Projekti i ndërrimit të filtrave në termocentralin Kosova B, është shtyrë disa herë dhe se pritet të fillojë zbatimin në vitin 2024. Zëvendëskryeministri Bislimi kishte nënshkruar marrëveshje me ambasadorin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerë prej 63.96 milion euro.

Siç dihet tashmë, projekti për ndërrimin e elektrofiltrave ishte planifikuar të fillojë në muajin qershor të vitit 2020 në bllokun B1, ndërsa më 1 mars të vitit 2021 në bllokun B2. Por, siç theksojnë në Shërbimin për informata të KEK-ut, për arsye të pandemisë që në këtë periudhë përfshiu edhe Kosovën, ky afat u shty saktësisht për një vit. Kjo do të thoshte se në njësinë B1 të Kosovës B, punët në projektin për instalimin e elktrofiltarve të nisin më 1 mars 2021, kurse në B2 me 1 mars 2022. Dhe edhe ky afat, edhe pse ishin të siguruara pjesa dërrmuese e mjeteve të nevojshme financiare nga BE-ja, u shty sërish për vitin pasues. Tashmë pos pandemisë, si shkaku për shtyrjen e sërishme, zyrtarët e KEK-ut apostrofojnë edhe nevojën për intervenime-riparime shtesë në kazan (dilatimeve). Dhe tani, pas kësaj shtyrjeje, të tretën me radhë, planifikohej që më në fund nisja e punëve për imlementimin e projektit për vendosjen e elektrofiltarave në bllokun B2 të fillojë në muajin prill të vitit 2023, më pastaj u shty për në prill të 2024-tës. Dhe tani, sërish, me kërkesë të BE-së, është bërë shtyrja, siç u tha më lartë për në prill të vitit 2025.

Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve kishin një kosto goxha të kushtueshme për KEK-un dhe mjetet e parapara, të nevoshme për këto riparime- diku rreth 20 milionë euro), i kishte siguruar vet KEK-u.

“KEK-u me rishikim të buxhetit ka dedikuar rreth 11 milionë euro për projektin e dilatimeve (riparimet shtesë në kazanët e Kosovës B), dhe tashmë është inicuar kërkesa për këtë investim”, kishin theksuar kohë më parë për Buletinin Ekonomik, zyrtarë të KEK-ut.

Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosova B, do t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut.

Në KEK ishte paraparë dhe planifikuar të realizohet në të ardhmen edhe një projekt tjetër revitalizues në stabilimentet e Kosovës B, i veçuar nga Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave. Projekti që është në vizion të strukturave drejtuese të KEK-ut, i ashtuquajturi FDG (SOX) ka të bëjë me ndërrimin e impiantit të nevojshëm për reduktimin e SOX.

Parashihet që ky projekt të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe të vihet në funksion, pra të kryhet si projekt më 1 janar 2028. Tash për tash është në proces të përgatitjes dhe është futur në procedurat shqyrtuese të BE-së. Me projektin e vendosjes së elektrofiltrave është i ndërlidhur ngusht edhe një projekt tjetër i rëndësishëm, që ka të bëjë me rivitalizimin e tërësishëm gjeneral të turbinave dhe të gjeneratorëve të Kosovës B. Ky projekt, për të cilin tashmë është i gatshëm i tërë dokumentacioni, por edhe mjetet e siguruara nga vet KEK-u (do të kushtojë diku rreth 55 milionë euro), po shtyhet poashtu nga KEK-u për shkak të racionalizimit të kohës. Është menduar shkurt që kjo punë të bëhet gjatë ndërprerjes së prodhimit në secilin bllok të Kosovës B për të vendosur elektrofiltrat, me qëllim që të mos bëhet dy herë nga 7-8 muaj ndërprerja e prodhimit në këtë termocentral.

/Buletini Ekonomik