Search

Ndër vendimet e para, Biden rikthen SHBA-të në marrëveshjen e Parisit

21 Janar, 2021


Menjëherë pas marrjes së detyrës, Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka nënshkruar urdhërin ekzekutiv për rikthimin e SHBA-ve në marrëveshjen e Parisit.

‘Ne do të luftojmë ndryshimet klimatike sikurse asnjëherë më parë’, ka thënë Biden pas nënshkrimit të urdhërit ekzekutiv, që përfaqëson përpjekjen më të madhe ndërkombëtare të shënuar kohëve të fundit në përpjekjet për të frenuar ngrohjen globale.

Me iniciativë të ish Presidentit Trump, SHBA-të zyrtarisht u tërhoqën nga marrëveshja e Parisit në fund të vitit të kaluar. Marrëveshja ka për qëllim kufizimin e emetimeve të gazrave serë.

Trump dhe Biden përplasen për ndryshimet klimatike dhe zjarret

Lexo më shumë

SHBA-të ishin i vetmi shtet që ishte tërhequr nga marrëveshja, nga gjithsej 200 shtete që e kanë nënshkruar atë. Gjatë fushatës elektorale, Biden ishte zotuar se do të nënshkruante dokumentet e nevojshme për të rikthyer SHBA-të në marrëveshje në ditën e përurimit të tij.

Ndryshe, SHBA-të kanë luajtur rol të madh në krijimin e marrëveshjes së Parisit në vitin 2015.

Marrëveshja synon të shmangë ndryshimet klimatike duke mos lejuar që rritja mesatare e temperaturës të tejkalojë dy shkallë celsius në vitin 2100.

Që nga fillimi i periudhës industriale, temperaturat tashmë janë rritur me më shumë se një gradë celsius.

Pas nënshkrimit të urdhërit ekzekutiv, SHBA-ve do ti duhen tridhjetë ditë për t’u ribashkuar në marrëveshjen e Parisit, ndërsa përmbushja e synimeve të përcaktuara në marrëveshje do të kërkojë kohë shumë më të gjatë.

SHBA-të ndër emetuesit më të mëdhenj në botë të karbonit

Pas Kinës, SHBA-të janë ndotësit e dytë më të mëdhenj në botë për emetime të karbonit, porn ë periudhë më të gjatë kohore, kanë kontribuar më shumë se të gjitha vendet tjera në botë në ndryshimet klimatike.

Al Gore: Biden duhet të forcojë angazhimin e SHBA-ve për të ulur emetimet

Lexo më shumë

Gjatë fushatës elektorale, Biden kishte premtuar për të larguar të gjitha emetimet e gazrave serë të shkaktuara nga sektori i energjisë elektrike në SHBA deri në vitin 2035. Për më shumë, ai kishte premtuar se SHBA-të do të bëhen ‘neutrale ndaj klimës’ deri në vitin 2050.

Emetimet e karbonit nga sektori i energjisë elektrike tani më kanë filluar trendin e rënies, ndërsa gjatë dekadës së fundit termocentralet kanë filluar të zëvendësohen me burime të ripërtëritshme të energjisë elektrike, sikurse ato solare dhe të erës.

Transporti – burimi kryesor i emetimeve të gazrave serë në SHBA

Për dallim nga sektori i energjisë elektrike, emetimet e karbonit nga industria dhe transporti do të jenë më të vështira për t’u kufizuar. Në vitin 2017, transporti kishte tejkaluar sektorin e prodhimit të energjisë elektrike si burimi kryesor i emetimeve të gazrave serë në SHBA.

John Kerry do të jetë i emëruari i Joe Biden për çështjet klimatike

Lexo më shumë

Biden pritet të sjellë kufizime dhe standarde të reja dhe më strikte për emetimet nga makinat, por hartimi i rregullave të reja kërkon kohë më të gjatë.

Rikthimi i SHBA-ve në Marrëveshjen e Parisit u mirëprit nga Kombet e Bashkuara

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka përshëndetur ribashkimin e SHBA-ve në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

‘Ne shpresojmë që udhëheqësit në SHBA do të përshpejtojnë përpjekjet drejt largimit të plotë të emetimeve të karbonit’, ka thënë Gueterres.

Biden paralajmëron fundin e përdorimit të gazit brenda 15 viteve, ndërkohë që Kosova synon gazin nga marrëveshjet e Uashingtonit

Lexo më shumë

Përmes përfshierjes së plotë të një superfuqie sikurse SHBA-të në proces, iniciativa e Biden për t’iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit ka ndikuar që bota edhe njëherë të rikujtojë rëndësinë e luftimit të ndryshimeve klimatike.

Tani pritet që SHBA-të të marrin pjesë në bisedimet e radhës në Glasgou, ku udhëheqës botëror do të takohen për tu dakorduar mbi synimet dhe caqet e reja klimatike.

Si Biden mund të bëjë ndryshimin në Ballkanin Perëndimor?

Lexo më shumë