Search

Al Gore: Biden duhet të forcojë angazhimin e SHBA-ve për të ulur emetimet

05 Janar, 2021


Ish zëvendës presidenti i SHBA-ve dhe kandidati për President, Al Gore, ka thënë se me ardhjen e Biden në pushtet, SHBA-të dhe bota ka mundësinë të ndërtojë një mënyrë jetese më të drejtë për gjithë njerëzimin.

‘Me rritjen e numrit të vdekjeve nga koronavirusi, beteja e pandemisë duket si shumë e vështirë, megjithatë, ajo do të fitohet. Por ne do të jemi ende në mesin e një beteje edhe më të rrezikshme për jetën – mbrojtjen e ekuilibrit të klimës së tokës’, ka thënë Al Gore në letrën e tij të publikuar në nëntor të vitit që po lëmë pas.

Duhet të ndërmerren aktivitete të menjëhershme, ndryshe pasojat do të jenë të rënda

Al Gore ka paralajmëruar për pasojat e rënda me të cilat bota mund të përballet, në rast se nuk ndërmerren aktivitete të menjëhershme për zvogëlim të emetimeve.

‘Dy vjet më parë, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës paralajmëroi për pasojat e rënda, përmbytjen e zonave bregdetare, përkeqësimin e thatësirës, midis shumë katastrofave tjera – nëse emetimet e gazërave serë nuk ulen me 45 për qind nga nivelet e viteve 2010 deri në vitin 2030 dhe 100 për qind deri në vitin 2050’, ka shkruar Al Gore.

Ai ka theksuar se pavarësisht rezistencës nga administrata e Trump, ka pasur zhvillime të shumta në sektorin e prodhimit të energjisë së gjelbër, kjo falë punës së qyteteve, shteteve, bizneseve dhe investitorëve.

Çmimi i prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme ka rënë dukshëm, pavarësisht rezistencës së Trump

Al Gore ka thënë se cmimi i pajisjeve për prodhimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme ka rënë, dhe kjo ka ndikuar në zhvillimin e këtij sektori.

‘Një shembull është energjia diellore. Kostoja e paneleve diellore është ulur me 89 për qind në dekadën e fundit, ndërsa ajo e turbinave me erë 59 për qind. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që 90 për qind e të gjitha burimeve të reja të energjisë elektrike në gjithë botën në vitin 2020 do të jenë nga burime të pastra’, ka thënë Al Gore.

Ndërsa kostot e energjisë së ripërtëritshme po bien, shumë kompani kanë përshpejtuar braktisjen e impianteve me karburante fosile, para parashikimeve, dhe kanë filluar zëvendësimin e tyre me panele diellore dhe turbine me erë apo bateri, ka thënë Al Gore.

‘Një studim i kësaj vere nga ‘Rocky Mountain’ dhe ‘Sierra Club’, ka raportuar se energjia e pastër tani në SHBA është 79 për qind më e lirë se ajo e impianteve të qymyrit. Studime tjera tregojnë se energjia e pastër e kombinuar me bateritë është tashmë më e lirë edhe krahasuar me impiantet e reja të gazit natyror’, ka thënë Al Gore.

SHBA-të do të ripozicionohen në luftën kundër ndryshimeve klimatike

Al Gore është shprehur se Joe Biden do të rikthejë besimin e botës tek Amerika, duke u ripozicionuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike, krahas iniciativave tjera nga shumë vende tjera të botës.

‘Ne do të nisim rivendosjen e SHBA-ve në udhehqejen e luftës kundër ndryshimeve të rrezikshme klimatike. Ne duhet të adresojmë të metat tona fillimisht. Kjo do të pozicionojë SHBA-të në vendin e duhur, si partnere e besueshme në sfidat e mëdha me të cilat përballet njerëzimi’, ka thënë Gore.

‘Ashtu sin ë pandemic, dija dhe shkenca do të jenë shpëtimi ynë. Por që të kemi sukses, ne duhet të mësojmë të punojmë së bashku, në mënyrë që të mos vdesim bashkërisht’, ka thënë Al Gore në fund.

Al Gore ka qenë zëvendëspresidenti i 45-të i SHBA-ve. Ai ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2007 për angazhimin e tij në ngadalësimin e ngrohjes globale.