Search

Mungesa e fuqisë punëtore ndër pengesat kryesore të investimit në sektorin e energjisë

28 Korrik, 2021


Sipas studimit të bërë mbi investimet e diasporës dhe investimet e huaja direkte nga Gjermania – realizuar nga Deloitte për OEGJK, ka dalë se Kosova duhet të tërheq investimet e huaja direkte të duhurat për ekonominë e saj. E ndër investimet kryesore të rekomanduara janë ato në energji dhe miniera, krahas investimeve në bujqësi, blegtori, ndërtimtari, tekstil dhe turizëm.

Në kuadër të studimit, 75 përqind e bizneseve të anketuara kanë theksuar se ndër pengesat kryesore të investimit në sektorin e energjisë në Kosovë është mungesa e fuqisë së aftë punëtore.

Por ndryshe ishin përgjigjjet e bizneseve për sektorët tjerë. Në sektorin e prodhimit 78 përqind e bizneseve kanë thënë se pengesa kryesore është korrupsioni, ndërsa sektorët tjerë kanë identifikuar pengesa si barrierat administrative (industria e shërbimeve), sistemin ligjor dhe juridik (shërbime financiare) dhe kredibilitetin e institucioneve (industria e informacionit dhe teknologjisë).

Faktorët politik vlerësohen si rreziqet më të mëdha nga bizneset në sektorin e energjisë

Gjatë projektimit të investimeve të ardhshme në sektorin e energjisë, kompanitë e përfshira në këtë sektor kanë thënë se faktorët politik, përcjellur nga ata fiskal, janë ndër rreziqet kryesore të investimit në Kosovë.

‘Komisioni Evropian ka nënvizuar se ka pasur progres në transpozimin e EU acquis dhe në rritjen e investimeve në energji të ripërtëritshme. Sidoqoftë, diversifikimi i sektorit të energjisë po ndodhë ngadalë dhe Kosova vazhdon të varet nga qymyri’, thuhet në raport.

Raporti nënvizon se sektori i energjisë në Kosovë përballet me shumë sfida, duke përfshirë edhe atë të operimit me pajisje të stërvjetëruara. Rritja e kërkesës për energji elektrike në vend nuk është mbuluar në mënyrë adekuate deri më sot, dhe kjo ka rezultuar në pakënaqësi të shumta tek konsumatorët, thuhet në raport.

‘Nga viti 1999, Gjermania ka zotuar fonde në vlerë prej 163 milion eurosh në sektorin e energjisë, fillimisht për të përkrahur pajisjet e transmetimit të rrymës dhe ngrohjet publike, por edhe për krijimin e atlasit të fuqisë së erës. Kjo i ka ndihmuar investitorëve të përllogaritin kthimin e mundshëm nga projektet e energjisë me erë’, thuhet në raport.

Qymyri nuk është më opcioni më i lirë për Kosovën

Kosova ka 14,7 milion ton të rezervave të linjitit dhe linjiti është burimi kryesor i prodhimit të energjisë në vend. Termocentralet në Kosovë prodhojnë rreth 98% të energjisë elektrike në Kosovë, thuhet në raport.

Përkundër kësaj, në raportin e ri të publikuar thuhet se nuk priten investime në termocentrale të reja në Kosovë, ndërsa termocentrali Kosova A do të duhet të mbyllet së shpejti, duke shkaktuar mungesën e rreth 2,100 gigavatëve të energjisë elektrike në baza vjetore.

‘ContourGlobal, investitori i listuar në bursën në Londër dhe Banka Botërore janë tërhequr nga zhvillimi i projektit të termocentralit të ri me linjit. Ndër arsyjet kryesore të tërheqjes është se cmimi për rrymën e prodhuar në kuadër të projektit do të ishte 80 euro për megavat. Krahasuar me opcionet tjera, qymyri nuk është më opcioni më i lirë për energji elektrike në Kosovë’, thuhet në raport.

Në anën tjetër, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, prodhimi i rrymës nga gazi vjen në kosto prej rreth 76 eurosh për megavat.

‘Kosova nuk ka treg ose infrastrukturë të gazit, por ka treguar vullnetin ti bashkohet disa gazsjellësve, duke përfshirë edhe gazsjellësin TAP në Shqipëri. Kostot e përllogaritura nuk përfshijnë kostot e mëdha të ndërtimit të infrastrukturës së re, që do të ishte e nevojshme për të siguruar furnizimin me gaz në Kosovë’, thuhet në raport.

Raporti thekson se Kosova mund të përfshihet në projekte të energjisë së ripërtëritshme me mundësi të ruajtjes së energjisë përmes baterive, për të shtuar edhe 1,500 gigavat orë në baza vjetore, dhe se disa analiza thonë se kjo mund të rezultojë në cmim prej 70 eurosh për megavat orë.

Rreth raporteve të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare

Për të nxitur Investimet e huaja direkte dhe për të përdorur potencialin akoma të pashfrytëzuar të Diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të vendit – Oda Ekonomike Gjermano Kosovare në bashkëpunim me Qeverinë gjermane, përfaqësuar nga Bashkëpunimi Gjerman GIZ, ka realizuar 2 studime për t’i dalë në krah Qeverisë së Kosovës me informacione dhe rekomandime.

Bëhet fjalë për studimin për investimet e diasporës dhe atë mbi investimet e huaja direkte nga Gjermania, që të dyja të realizuara nga Deloitte për OEGJK-në.

Vendet në zhvillim sikur Kosova, të cilat vuajnë nga një mungesë e financimeve nga shteti, përfitojnë shumë nga investimet e huaja direkte.

Këto investime sjellin teknologji, njohuri teknike, aftësi dhe një standard më të mirë për vendin pranues. Ato kontribuojnë në kapitalin njerëzor dhe fizik të investuar në vend.

Teorikisht kjo do të duhej të rezultojë në rritje të konsumit dhe investimeve, përmirësimit të procesit të prodhimit dhe një prodhim të brendshëm bruto më të lartë për frymë banori.

Për më tepër, është shumë e rëndësishme që një vend të tërheqë llojin e duhur të investimeve të huaja direkte, përndryshe, jo vetëm që ato ato nuk do të kontribuonin në rritjen e bruto produktit vendor të një vendi, por gjithashtu mund të tejngopin investimet e brendshme dhe të pengojnë formimin e kapitalit, duke pasur kështu ndikim të kundërt me atë të dëshiruar.

Gjermania është një nga vendet në Evropë me investimet më të larta të huaja direkte jashtë vendit. Gjatë vitit 2018 niveli i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte arriti në 1,276,900,00 euro, regjistruar një rritje prej 5.8% nga viti 2017.

Nga këndvështrimi i Kosovës kjo duhet të përceptohet si një mundësi e shkëlqyer, duke marrë parasysh diasporën e cila jeton në Gjermani.

Kosova ka mundësi të mëdha investimi në energji dhe miniera, blegtori dhe bujqësi, ndërtimtari, tekstil dhe turizëm.

Është e rëndësishme të ndërmerren nisma të përshtatshme që nxisin llojin e duhur të investimeve të huaja direkte dhe kështu të sigurojnë paralelisht me reformat edhe investime që kontribuojnë drejtpërdrejtë në rritje më të lartë ekonomike.

Raportin e plotë mund t’a shkarkoni duke klikuar këtu.