Search

Minatorët e Trepçës të pakënaqur me kushtet e punës – Sindikata kërkon mbështetje konkrete

May 14, 2026


Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar pas takimit me Bordin Mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e rëndë të minatorëve, kushtet e punës dhe mungesën e investimeve në Trepçë.

Sipas një postimi në rrjetin social thuhet se kërkesa për takim kishte për qëllim informimin e bordit lidhur me situatën aktuale të minatorëve, largimet e shumta nga puna pa procedura ligjore, mungesën e pagesës së trustit pensional si dhe draft-rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës.

“Si fillim, si sindikatë pas gatishmërisë për të zhvilluar takimin e vlerësuam këtë takim, por është e dhimbshme dhe zhgënjyese se si nuk ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje për minatorët dhe po u ngarkohet barra e keqmenaxhimit të ndërmarrjes tash e 26 vite. Kjo sipas logjikës së tashme, përgjegjësinë dhe pasojat po i bartin minatorët, por pa u ngarkuar përgjegjësia dhe llogaridhënja atyre që keqmenaxhuan, ndërsa nga minatorët po kërkohet ringritja e Trepçës. Tashmë të gjithë e dimë se si po përballemi në mungesë të mjeteve të punës, në një mikroklimë ku çdo ditë po na grryen shëndetin nga brenda. Kurse këta të gjithë po vijnë e po shkojnë me premtime për ringritje, e minatorët po mbesin pa ju ndryshuar gjendja, vetëm duke ju rënduar situata”, thuhet në njoftim.

/Telegrafi