Search

Ministrja e Ekonomisë diskuton sektorin e energjisë, ndan detajet për zhvillimet e ardhshme në sektor

20 Tetor, 2021


Lëvizja FOL ka vazhduar serinë e debateve, ku e ftuar e rradhës ishte ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja adresoi sektorin e energjisë në tërësinë e tij, ndërsa shpjegoi vështirësitë e shumta ose ‘patatet e nxehta’ siç i etiketoi ajo, të cilat iu kaluan asaj nga qeveritë e mëparshme.

Ajo përsëri diskutoi për projektin e gazit në Kosovë të refuzuar tani, megjithëse jo përfundimisht, duke ndarë detajet që çuan në atë vendim, por poashtu elaboroi se ku 200 milion dollarët e siguruara nga MCC do të kanalizohen brenda sektorit të energjisë në Kosovë.

Për më tepër, ajo u shpreh se Kosova ka nevojë urgjente për një analizë apo studim gjithëpërfshirës për sektorin, dokument i cili sipas saj aktualisht është duke u hartuar.

Rizvanolli gjithashtu ndau detajet e disa dokumenteve të rëndësishme të energjisë të cilat me sa duket janë përfunduar dhe së shpejti do të dalin për diskutim publik.

“Sektor tejet i rëndëishëm, tejet delikat, ku nuk janë marrë vendime të mëdha, apo janë marrë vendime të gabuara që janë kthyer mbrapa që mund të na kushtojnë”, theksoi Rizvanolli.

“Mirëpo, jemi në një situatë ku nuk është bërë asgjë, investime të mëdha nuk janë bërë për 40 vite ku duhet të vendosim për 40 vitete e ardhshme ku duhet të vendosim për gjeneratat e ardhshme”, potencoi sërish ajo.

Rizvanolli: Me mu si ministre, me këtë qeveri, tenderët, keqpërdorimet nuk do të ecin

Ndonëse janë rezultate që nuk mund të vërehën në afat shkurtër, ministrja theksoi aktivitetet në bazë të respektimit të ligjit janë e vetmja mënyrë që kjo ministri do të ecë përpara, që sipas saj ndryshon dukshëm nga qeveritë e mëparshme.

“Një gjë që gjithashtu na ka marrë shumë kohë dhe përpjekje është edhe vendosja e ligjshmërisë dhe analiza e gjendjes çka është duke ndodhur”, tha ajo.

“Ne kemi hasur, veçanërisht brenda ministrisë sonë, në agjencionin për efiçensë të energjisë që raporton direkt tek ministrja, kemi hasur që në ditët e para në një skem të jashtëligjshme ku mjetet e dedikuara për diçka tjetër, rreth 1 milion euro, janë vendosur pak para zgjedhjeve me procedura të përshpejtuara është hapur një thirrje dhe janë lidhur kontrata me biznese”, tha ajo.

“Me mu si ministre, me këtë qeveri, kontrata të tilla nuk do të ecin, tenderët, keqpërdorimet e tilla nuk do të ecin”, tha Rizvanolli.

“Ne për strategjinë e energjisë duhet të llogarisim dhe për sektorin e energjisë është kyce që efiçensa e energjisë të përmirësohet”, tha ajo.

“Nuk është problemi që vetëm shpenzohen ato para dhe keqpërdoren ato para. Problemi është që ne nuk arrijmë caqet, ne nuk e arrijmë atë efiçensën e energjisë dhe ne e kemi të vështirë tani, pasi se nuk mund t’i themi pas pesë viteve donatorëve na mbështetni prap për efiçensën e energjisë sepse në letër këto çështje janë kryer”, tha ajo.

Rizvanolli: Kemi nevoj për një studim gjithpërfshirës që do të informonte strategjinë e energjisë

Ministri Rizvanolli shpjegoi se puna jo formale në strategjinë e energjisë ka filluar, dhe se puna zyrtare gjithashtu do të filloj së shpejti.

Më e rëndësishmja, ajo nënvizoi, është se ministria si dhe Kosova kanë nevojë urgjente për një studim gjithëpërfshirës i cili ka një analizë të të gjithë sektorit të energjisë, ndërsa studime të caktuara, të cilat vlerësohen si të pamjaftueshme nga Rizvanolli, për segmente ose teknologji të veçanta të sektorit ekzistojnë.

“Strategjia e energjisë ësthë diçka për të cilën gjithashtu është punuar shumë, megjithëse nuk është parë sepse formalisht nuk kemi filluar ende, megjithëse jo-formalisht e kemi filluar punën”, theksoi ajo.

“Grupi punues është ftuar, mirëpo ne para se të fillojmë punën në strategji kemi dashur t’i bëjmë dy gjëra”, theksoi ajo.

“E para është të sigurojmë një studim për opsionet më të lira për furnizimin me energji në Kosovë. Ne deri tani kemi pasur shumë studime që janë qoftë në vazhdimësi, qoftë që janë kryer në të kaluarën, të cilat janë studime fizibiliteti për një aspekt të caktuar, për një teknologji të caktuar etj”, tha Rizvanolli.

“Mirëpo, nuk e kemi një studim gjithpërfshirës i cili i vlerëson të gjitha këto opsione sëbashku, dhe i cili i krahason këto dhe e sheh edhe nga ana e emetimeve të dioksidit të karbonit edhe nga ana e kostos financiare edhe teknike se çka është e përballueshme”, tha ajo.

“Koha kur janë marrë vendimet e painformuara ka kaluar. Ne nuk e kemi lluksin tani që të bëjmë strategji që janë listë e dëshirash, e as strategji të cilat nuk e dijmë sa do të kushtojnë dhe ku do të na çojnë”, tha ajo.

Cilat janë projektet alternativa të cilat Kosova pritet të vazhdoj të implementoj sëbashku me MCC-në?

Rizvanolli përsëri shpjegoi se fondet e MCC nuk janë të humbura, edhe pse qeveria vendosi të mos ecë përpara me zhvillimin e një infrastrukture gazi në Kosovë.

Rizvanolli paraqiti tre shtyllat kryesore të cilat do të jenë përfituese të 200 milionë dollarëve të ndara nga Administrata e Bidenit për sektorin e energjisë në Kosovë.

Investime në rrjetin elektro-energjetik të Kosovëa, kapacitete të ruajtjes së energjisë dhe zhvillimi dhe trajnimi i një fuqie pune të aftë për një sektor të gjelbër të energjisë, në veçanti përfshirja e grave, do të jenë objektivat kryesore të fondeve të përcaktuara.

“Janë identifikuar tri fusha në bashkëpunim me MCC-në. Fusha e parë është avansimi i rrjetit elektro-energjetik, që mund të përfshij këtu ndërrim të linjave, pajisjeve, orë të mencura dhe rrjet të mencur”, tha ajo.

“Nga ana tjetër, fusha e dytë është fusha e akumulimit të energjisë, dhe në veçanti të investimit në bateri për rezerva. Të dyja këto fusha nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, do të thotë ne kemi kërkuar që sëbashku t’i hulumtojmë këto dy fusha, dhe të shohim një kombinim të këtyre dyjave apo në njërën nga këto fusha t’i orientojmë investimet e financuara nga projekti Kompakt i MCC”, theksoi Rizvanolli.

“Dhe është me rëndësi të ceket se që të dyja këto fusha mundësojnë nga njëra anë uljen e humbjeve teknike, dhe nga ana tjetër integrimin e burimeve të ripërtëritshme në sistemin tonë, gjë e cila teknikisht është shumë e vështirë në sistemin tonë energjetik përshkak të mungesës së fleksibilitetit që kemi”, tha ajo.

“Fusha e tretë, e cila do të zhvillohet pavarësisht se çka do të ndodhë me këto dy parat, është zhvillimi i shkathtësive të fuqisë punëtore. Gjë që është tejet e rëndësishme sepse kemi të bëjmë me një sektor tejet dinamik ku ka shumë investime, teknologji, inovacione, dhe shkathtësia e të rinjëve dhe të rejave. Gjithmonë kemi fokus të veçant të përfshirjes së grave në këto trajnime”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli: Nuk ndërtohet infrastruktura e gazit për 10, 15, 20 vite për me u shfrytëzu vetëm për 5 ose 10 vite

Ministrja e ekonomisë deklaroi se nëse qeveria do të vendoste për një investim të tillë, i cili është përsëri për një lëndë djegëse fosile edhe pse më pak ndotës se qymyri, ka të ngjarë të bllokojë investimet në teknologji të tjera më të gjelbërta dhe përfundimisht do ta bëjë tranzicionin e gjelbër më të vështirë.

Për më tepër, ajo deklaroi se me informatat në dispozicion, vendimi për ndërtimin e një infrastrukture gazi do të zgjaste 10 ose ndoshta edhe 20 vjet, gjë që do t’i linte Kosovës me një dritare të shfrytëzimit të gazit prej 5 ose 10 vjetësh.

“Kritikat ndaj këtij vendimi, megjithëse nuk është përfundimtar, është që thuajse ne kemi një shkop magjik dhe e ndërtojmë infrastrukturën e gazit pa kosto dhe pa përpjekje. Në fakt jemi duke folur për investime qindra milionshe në kohën kur Evropa e sidomos SHBA-të, Administrata Biden, nuk kanë qëndrim të favorshëm ndaj gazit sepse megjithatë është lëndë djegëse fosile që emeton gazrat e karbonit”, tha ajo

“Dhe një gjë tjetër që po e harrojnë është se ne në momentin kur kemi investuar kaq shumë, nëse investojmë në infrastrukturë të gazit, ne njëfar mënyre ja mbyllim vetes mundësinë për investime në teknologji të tjera në të ardhmen”, theksoi ajo.

“Nuk ndërtohet infrastruktura e gazit për 10, 15, 20 vite për me u shfrytëzu për 5 vite ose 10 vite”, tha ajo.

“Nuk është çështja me ndërtu ni gyp. Gypin e ndërton, nuk kusthon edhe shumë shumë, kushton diku rreth 100 milion euro, ndoshta është vlerësimi megjtihëse nuk është vlerësim final”, theksoi ajo.

“Çështja është çka bënë me atë gyp? Ku e con ai gazin, ku e ki infrastrukturën me cu deri tek kush janë ata që ju nevojitet gazi, dhe përfundimisht me cfarë çmimi do të paguhet ajo energji elektrke, ose ajo ngrohje”, tha ajo.

“Përveç kësaj, ne jemi në një moment kur çmimet e gazit janë rekorde. Dhe nuk dihet se kur do të vazhdoj, dhe nuk është e qartë që këto çmime nuk do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndoshta jo në këto nivele, mirëpo jemi në një kohë kur gjithandej Evropës veçse nuk janë duke u përdorur. Në fakt në disa vende janë duke i rikthyer termocentralet me thëngjill për shkak të çmimit të lartë të gazit”, insistoi ajo.

Rizvanolli: Gjithmonë ka qenë plani që ne ta ndërtojmë gazsjellësin jo MCC

Rizvanolli shpjegoi se MCC ofroi vetëm fonde për të lehtësuar investimin në gaz, jo se ishte opsioni i vetëm për Kosovën për të zhvilluar një projekt të tillë.

Për më tepër, ajo shpjegoi se ndoshta është më mirë që Kosova të përdor qymyr për momentin, ndërsa njëkohësisht të investoj në mënyrë agresive në burimet e energjisë së ripërtëritshme.

“Gjithmonë ka qenë plani që ne ta ndërtojmë gazsjellësin jo MCC. MCC ka qenë plani të investoj në infrastrukturë tjetër përcjellëse dhe të kontribuoj në një partneritet publiko-privat, në emër të qeverisë së Kosovës për prodhim të energjisë elektrike nga gazi”, tha ajo.

“Do të thotë, opsioni i ndërtimit të gazsjellësit ekziston, ai do të trajtohet do të vazhdoj të trajtohet me kujdes në kuadër edhe të studimit që e përmenda që veçse ka filluar”, tha ajo.

“Mirëpo, një vendim i tillë do të merret vetëm në momentin kur ne jemi të bindur që ky është opsioni më i mirë edhe nga ana teknike, edhe nga ana financiare, mirëpo edhe nga ana e emetimit. sepse nëse ne ndërtojm infrastrukturë gazi dhe përdorim gazin për më gjatë kjo do të thotë mbase më shumë emetim sesa vazhdimi i edhe për një kohë më të gjatë se sa që kemi planifikuar me qymyr, dhe investimi më agresiv në burime të ripërtëritshme të energjisë”, theksio ajo.

Rizvanolli: Kosto e prodhimit të energjisë nga gazi shumë e lartë me informatat që kemi, duhet ende vlerësim

Një tjetër fakt që shkoi kundër vendimit për të zgjedhur dhe zhvilluar një infrastrukturë gazi në Kosovë, ishte çmimi i prodhimit të energjisë duke përdorur gazin sipas Rizvanollit.

Megjithatë, duke shtuar këtu në listën e kundërshtimit të gazit për Kosovën, Rizvanolli përmendi gjithashtu sistemin e shpërndarjes së ngrohjes qendrore nga Termokos, dhe vështirësitë e zbatimit që po përjetohen, duke bërë krahasime me kompleksitetin e infrastrukturës së gazit.

“Mirëpo, edhe kosto e prodhimit është më e lartë, shumë më e lartë se sa kjo që e kemi. Sa saktësisht nuk dihet sepse nuk kemi arritur deri tash të vlerësohet, dhe kjo ka qenë pikërisht një nga arsyet që kemi hezituar”, tha ajo.

“Për të ndërtuar një infrastrukturë të tillë, paramendojeni rrjetin e Termokos-it, sa është duke marrë kohë, dhe paramendojeni ndërtimin e një rrjeti paralel prej zeros kur as nuk kemi shkathtësi për atë punë, as nuk kemi financa për atë punë”, theksoi ajo.

Rizvanolli flet për benefitet e taksës së karbonit, data e implementimit ende nuk dihet

E pyetur për afatin ose planin në lidhje me zbatimin e taksës së karbonit në Kosovë, Rizvanolli u shpreh se ka paqartësi lidhur me atë se kur Kosova do të vendosë ta përdorë atë.

Megjithatë, ajo shpjegoi përfitimet e një mekanizmi të tillë, duke deklaruar se paratë që do të tatoheshin ndaj emetuesve do të përdoreshin akoma nga Kosova për masa të ndryshme mjedisore, apo krijimit të një fondi për të adresuar konsumatorët e cenueshëm.

“Momentalisht nuk është e qartë se cili do të jetë viti që Kosova do të jetë e obliguar që ta vendos taksën e karbonit, dhe në cfarë lartësie”, tha ajo.

“Deri në një masë, deri në një kohë, ne do të kemi lirinë që të vendosim taksën e karbonit në nivelin që ne konsiderojmë që është i përballueshëm, që do të jetë gradual, mirëpo cfarë mase kemi ne si shtet edhe fuqi negociuese edhe mundësi sa do të ketë për të vendosur këtë është diçka e paqartë”, tha ajo.

“Taksa e karbonit e ka një të mirë, të them ashtu, që është taks e cila mblidhet nga shteti dhe të hyrat qëndrojn brenda shtetit. Në krahasim të importit, qoftë gazit qoftë energjisë, që parat dalin jashtë, të hyrat nga taksa e karbonit mbesin brenda shtetit dhe mund të shfrytëzohen që të themelohet një fond për të mbështetut konsumatoërt në nevojë, ose për rehabilitimin e ambientit, ose integrimin e BRE-ve”, theksoi ajo.

Ministrja e ekonomisë poashtu tha se është përfunduar dhe se shumë shpejtë do të dal për konsultim publik koncept dokumenti për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë.

Dhe shumë shpejtë pastaj do të mund të vazhdojmë me ligjin, dhe nga ana tjetër me strategjinë dhe planin kombëtar për energji dhe klimë dhe brenda disa vitesh ne do të shohim investimet të reja.