“Më në fund”, Tesla gati për prodhimin e Cybertruckut elektrik
November 02, 2022
Gjiganti i veturave elektrike, Tesla, raportohet se planifikon ta nisë prodhimin në masë të modelit Cybertruck kah fundi i vitit 2023, dy vjet pas cakut fillestar për nisje të prodhimit sivjet. “Reuters” ka raportuar se informacioni vjen nga dy burime, por s’janë dhënë detaje e Tesla s’ka komentuar zyrtarisht.
Kompania pati thënë muajin e shkuar se po punon që ta përgatisë fabrikën në Teksas për ta prodhuar modelin e ri, ndërsa puna do të nisë në mesin e vitit 2023. Elon Musk pati deklaruar se kompania është në “hapin e fundit për Cybertruck”.
Qëkur prototipi i Cybertruckut u shpalos në fund të vitit 2019, Tesla e ka shtyrë tre herë datën e prodhimit, nga fundi i vitit 2021 në fund të 2022-s e më pas në fillim të 2023-s dhe tash për pjesën e dytë të vitit të ardhshëm.
Në maj të 2022-s, Tesla ndali marrjen e porosive jashtë Amerikës. Musku u shpreh se kompania “ka marrë më shumë porosi se që mund t’i realizojë në tre vjetët e parë të prodhimit”.
Shumica e detajeve për Cybertruckun mungojnë. S’dihen as çmimi e as specifikat. Megjithatë, pritet që një veturë e tillë të ketë çmim rreth 40 mijë euro.