Search

Marrëveshja e Parisit ndikon në braktisjen e planeve për termocentrale të reja

15 Shtator, 2021


Një studim i ri thotë se shumë nga planet për ndërtimin e termocentraleve të reja me qymyr janë braktisur pas marrëveshjes së Parisit të vitit 2015.

Sipas studimit, më shumë se tre të katërtat e planeve për termocentrale të reja janë braktisur pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje për klimën, që do të thotë se 44 vende nuk planifikojnë më ndërtimin e termocentraleve të reja të qymyrit në të ardhmën, ka raportuar Guardian.

E3G, Global Energy Monitor dhe Ember, grupet që kanë përpiluar raportin, tani thonë se vendet që kanë braktisur planet për termocentrale të reja qymyri mund ti bashkohen vendeve tjera që tani më janë përkushtuar për largimin e qymyrit, me qëllim të uljes së emetimeve të karbonit.

‘Vetëm pesë vite më herët kishte shumë plane për ndërtim të termocentraleve të reja me qymyr. Shumë nga këto janë braktisur soe pauzuar, por nuk besojmë se do të ndërtohen në të ardhmën’, ka thënë Dave Jones nga Ember.

31 vende planifikojnë termocentrale të reja

Por, rreth 31 vende në botë kanë vazhduar planet për ndërtimin e termocentraleve të reja me qymyr, anipse raporti thekson se financimi i këtyre projekteve është vështirësuar shumë, krahas kostove të larta të operimit.

Sipas këtij raporti, nëse Kina, India, Vietnami, Indonezia, Turqia dhe Bangladeshi braktisin planet për termocentrale të reja me qymyr, atëherë numri i planifikuar i tyre do të zvogëlohej për 90%.

Ndryshe, vetëm termocentralet e reja të planifikuara në Kinë përbëjnë 90% të listës së termocentraleve të planifikuara në botë, thuhet në raport.