Search

Maqedonia e Veriut do të bëjë shitjen e termocentralit ‘Negotino’ ose do ta konvertojë në gaz

December 22, 2020


Termocentrali ‘Negotino’ në Maqedoni të Veriut ose do të shitet ose do të zëvendësojë lëndën e parë në gaz natyror përmes një investimi me vlerë prej 200 – 500 milion euro, ka konfirmuar të hënën kryeministri i vendit Zoran Zaev.

Termocentrali ‘Negotino’ ka lansuar tender të hapur për studim të fizibilitetit mbi opcionet strategjike të funksionimit në të ardhmën, ndërsa Qeveria në Maqedoni të Veriut ka thënë se në gjysmën e parë të vitit 2021 do të vendosë nëse do të ndërtojë termocentral me gaz në të njejtin lokacion përmes partneritetit publiko-privat ose nëse do të bëjë shitjen e njësisë ekzistuese, ka thënë Zaev në konferencën për media të realizuar përmes rrjeteve sociale.

Në nëntor, Zaev ka konfirmuar se qeveria e tij po konsideron privatizimin e pjesshëm ose të plotë të termocentralit ‘Negotino’ dhe të disa ndërmarrjeve tjera shtetërore.

Termocentrali ‘Negotino’, që ka filluar operimin në vitin 1978, nuk ka prodhuar energji elektrike për më shumë se dhjetë vite, kryesisht për shkak të kostove të larta të prodhimit.

Maqedonia e V. dhe General Electric në bisedime për të ndërtuar termocentral me gaz

“Diskutuam për investime në një termocentral me gaz me General Electric Investment në Manastir. Për termocentralin 800 megavat, me vlerë 400 milion euro. Bisedojmë gjithashtu për TEC Negotino, për të cilin janë të interesuar më shumë se 50 investitorë,” tha Kryeministri Zaev.

Këtë të hënë, Zaev ka konfirmuar se Qeveria e tij ka siguruar grant për të zhvilluar studim fizibiliteti për instalimin e tri centraleve fotovoltaike me kapacitet prej 160 megavatësh në termocentralin tjetër ‘Bitola’.

Për momentin, termocentrali me qymyr ‘Bitola’ është burimi kryesor për furnizim me energji elektrike në Maqedoni të Veriut.