Search

Lumi Vjosa jehonë në ‘Hollywood’, pas DiCaprios një tjetër aktor i njohur ngre zërin

24 Mars, 2021


Pas Leonardo DiCaprio-s, është aktori tjetër me famë nga Hollywood, Edward Norton, ai që ka kërkuar që ky lum të mbrohet.

Edward Norton përmes një postimi në Twitter, ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve për të mos lejuar dëmtimin e lumit Vjosa.

“Lumi Vjosa rrjedh i paprekur nga burimi në det dhe grupet e komunitetit lokal në Shqipëri po bëjnë thirrje që ai të mbrohet përmes krijimit të një parku të ri kombëtar. Tregoni mbështetjen tuaj, ndani filmin e Patagonia me #VjosaNationalParkNow”, ka shkruar Norton në Twitter.

Ethet e hidrocentraleve

Rreth 2,700 hidrocentrale planifikohen të ndërtohen ose po ndërtohen në të gjithë Ballkanin. Një raport i Dhjetorit 2015 i kryer nga Bankwatch tregoi se gjysma e këtyre projekteve ndodhen në zona të mbrojtura natyrore.

Grupi mjedisor EcoAlbania ka identifikuar 45 projekte hidroenergjitike përgjatë Vjosës, të cilat do të transformonin zona të shumta të lumit në kaskada të mirëfillta, duke prishur ekosistemet dhe detyruar largimin e mijëra njerëzve.

Shumë prej këtyre projekeve datojnë që në fillim të valës së koncesioneve për hidrocentralët e vegjël që nisi në fillim të viteve 2000, pjesërisht si rezultat i interesit Evropian për energjinë e rinovueshme.

Pipa Gallop e Bankwatch u shpreh se kjo valë koncesiones “përbënte një mundësi të re për marrëveshje të dyshimta, spekulime dhe nepotizëm nga ana e elitave vendase duke qenë se tarifat konsumatore garantojnë të ardhura për hidrocentralet e vegjël.”

Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kanë dhënë një numër të lartë lejesh koncesionare rreth viteve 2006 dhe 2009. I gjithë rajoni është ndotur nga korrupsioni.

Ndërkohë që Bashkimi Evropian ka përditësuar rregullat për mbështetje financiare për energjinë e rinovueshme, Ballkani Perëndimor nuk ka bërë progres në reformat mbi këtë çështje.

Në këtë situatë, Fondet Perëndimore Evropiane, përfshirë Bankat Ndërkombëtare për Zhvillim po shfrytëzojnë situatën duke futur në portofolet e tyre të shërbimit çështjen e energjisë së rinovueshme dhe duke treguar angazhim për tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.