Search

Lansohet thirrja publike për subvencione për sisteme fotovoltaike

06 Shkurt, 2024


Ministria e Ekonomisë ka lansuar të martën thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe Ndërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla për investimin në sisteme të energjisë së ripërtëritshme.

Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se do të ulet barra për sistemin energjetik por edhe do të fuqizohen familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme.

“Me skemën që po e lansojmë sot, familjet mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 KW, ku do të subvencionohen me 250 euro për KW, deri në 1 mijë e 750 euro në total. Edhe për ndërmarrjet të vogla dhe të mesme vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro në KW me kapacitet prej 3 deri në 9 KW, maksimalisht deri në 2 mijë euro”, tha Kurti.

Më tej, ai tha se për kapacitet prej 10 KW e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për KW deri në 6000 euro në total.

“Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës deri në 4 mijë euro. Për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, tha Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se javët e saj të para si ministrie kërkesat më të shpeshta ishin të lidhura me shitjen e energjisë së përtrishme.

“Vendosja e sistemeve solare nga konsumatorët do jetë zgjidhje më e lehtë për përdorim në biznes, me përfitime të shumta, si ulja e ndotjes, ulja e faturave të energjisë”, deklaroi ajo.

Rizvanolli investitorëve të mundshëm: Mos i harroni sistemet solare për ngrohje të ujit sanitar

Lexo më shumë

“Aspekt tjetër është që krizen e dimrit 2021 2022, kemi lehtësuar atë me pako prej 75 milionë euro nga BE-ja me qëllim të ndikimit të shpejtë tek qytetarët, në veçanti te nënëat vetushqyese, bizneset etj”, shtoi ajo.

Ajo tha se këto skema të ndara kanë ndikuar në zbritjen e faturave nga përfituesit e skemave për ngrohje, me mbi 25 mijë aplikime, duke u investuar mbi 7 mijë euro.

Rizvanolli tha se për këto shërbime kanë aplikuar 17 kompani vendore të cilat i ofrojnë shërbimet qe do jepen nga sot.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e cila tha se lansimi i këtyre masave përmes mbështetjes qeveritare dhe asaj ndërkombëtare është në të te mirë të bizneseve duke u bërë thirrje që ti shfrytëzojnë këto mundësi.