Search

Lansohet ‘GROW’, programi i garancioneve bankare për energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë

17 Qershor, 2022


Sot, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe partnerët lansuan dritaren e re të garancioneve bankare GROW – Dritarja e Rimëkëmbjes së Gjelbër, e cila do të mbështesë investimet e bizneseve kosovare në energji të ripërtërishme dhe efiçiencë të energjisë.

Projekti GROW i dizajnuar dhe financuar nga Fondacioni i Milleniumit i Kosovës (MFK) dhe i përkrahur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), hapi sot fazën e dytë të projektit. Falë kapitalit prej 6 milion Euro të donuar nga Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, dhe garancioneve shtesë te lëshuara nga agjencioni federal amerikan DFC, dritarja e re e implementuar nga FKGK do t’i ndihmojë institucionet partnere financiare në kreditimin e sektorëve të cilët nuk janë shërbyer deri më tani.

Si pjesë e fazës pilot, gjatë ceremonisë së lansimit të dritares, u nënshkrua marrëveshja me bankën ProCredit, si partneri i parë financiar i cili do të ofrojë këtë lloj shërbimi për klientët e tij. Së shpejti do të vijojë bashkëpunimi me institucione të tjera financiare në Kosovë.

Me këtë rast drejtori i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, z. Besnik Berisha, deklaroi se: „Misioni i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore është lehtësimi i qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Në rastin konkret „Dritarja e Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbërta” do të mbështesë fuqizimin e investimeve në këtë drejtim, gjë që është thelbësore për një zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe rritjen e aftësisë konkuruese të ndërmarrjeve kosovare.