Search

Kurti: Na duhet një rregullator i pavarur dhe i fuqishëm

13 Prill, 2021


Përmes postimit në rrjete sociale, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka thënë se Kosovës i nevojitet një rregullator i pavarur dhe i fuqishëm i energjisë elektrike, për të kufizuar ndikimin e paautorizuar në vendimmarrje dhe për të siguruar stabilitet në regjimin rregullator.

Këto komente Kryeministri i bëri pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të qeverisë, ku u vendos për shfuqizimin e vendimit të qeverisë së kaluar për propozimin e tri emrave për kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Qeveria anulon vendimin per tre emrat e propozuar per Kryesues te ZRRE-se

Lexo më shumë

‘Vendimet e këtij institucioni kanë ndikim direkt në jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, në konkurrueshmërinë e prodhuesve e sipërmarrësve tanë, në çmimin e furnizimin me energji, por edhe në mjedisin në të cilin jetojmë. Duke marrë parasysh fuqinë dhe përgjegjësinë e këtij institucioni si dhe natyrën tekniko-profesionale të rregullimit të këtij sektori, duhet të sigurohemi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) drejtohet nga profesionistët më të mirë të fushës që i kemi’, ka shkruar Kryeministri Kurti në rrjete sociale.

Ai ka inkurajuar të gjithë profesionistët e fushës, përfshirë bashkatdhetarët nga mërgata, që të konkurrojnë për pozitën e kryesuesit të bordit të ZRRE-së.