Search

Kurti: Me kthimin në funksion të B2, Kosova do të kursejë nga 1.2 milion euro në ditë

24 Janar, 2022


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është kthyer në punë blloku B2 i termocentralit “Kosova B”.

Ai ka thënë se është kthyer në punë dje në ora 10:15. Kurti ka shtuar se me kthimin në funksion të B2, Kosova do të kursejë nga 1.2 milion euro në ditë.

“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW. Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim. Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila!” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Blloku B2 kishte rënë jashtë sistemit të prodhimit më 14 dhjetor të vitit të kaluar. Për rikthimin në funksion të B2 ka njoftuar KEK.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se pas përfundimit të punimeve sipas dinamikës së paraparë dhe pas testimeve të njëpasnjëshme që zakonisht realizohen pas një remonti të tillë, njësia prodhuese B-2 në Termocentralin Kosova B, mbrëmë rreth orës 23:55 është sinkronizuar me rrjetin energjetik. Aktualisht njësia B-2 është duke prodhuar me kapacitet të plotë dhe gjendja e saj është stabile”, ka njoftuar KEK-u.