Search

Kryeministri për gazin amerikan: Nuk merren kuturu dhe shpejt e shpejt vendimet kaq të mëdha

20 Shtator, 2021


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për diskutimet rreth ndërtimit të infrastrukturës së gazit në Kosovë, që parashihet të bëhet përmes ndërlidhjes me rrjetin e gazsjellësit Greqi – Maqedoni e Veriut.

Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se për vendime të tilla që definojnë sektorin e energjisë për gjeneratat e ardhshme duhet kujdes dhe analizë e të gjitha rrethanave.

Sipas tij, janë mbajtur rreth 10 takime dhe punëtori me MCC-në amerikane për të parë modalitetet për implementimin e projektit.

‘Në mbi 10 takime dhe punëtori të mbajtura gjatë kësaj periudhe me MCC kemi diskutuar në detaje për dizajnimin e projektit përmes të cili do të përkrahej pjesërisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit, por edhe për opsione tjera siç janë investimi në kapacitetet e shpërndarjes dhe akumluese në zhvillim të shkathtësive’, ka thënë Kurti.

Presidentja mbështet projektin e gazit për arsyje gjeostrategjike dhe gjeopolitike

Lexo më shumë

Kurti ka sqaruar se vendimet e tilla të mëdha nuk mund të merren ‘kuturu dhe shpejt e shpejt’ andaj qeveria është e përkushtuar të pranojë të gjitha të dhënat dhe analizat për të bërë vendimet e duhura.

‘Në të gjitha këto takime ne kemi shtruar pyetje dhe kemi diskutuar analizën preliminare të investimit. Në veçanti se cila do të ishte kosto totale, çfarë pjese do të ishte grant dhe sa duhet të marrim kredi si shtet. Kush do të operonte dhe ndërtonte termocentralin, çfarë kushte dhe çfarë implikime do të kishte prodhimi i energjisë elektrike nga gazi dhe tarifat që do t’i paguajnë qytetarët dhe bizneset. Vendime të tilla definojnë sektorin e energjisë për gjenerata të ardhshme, prandaj ne jemi të përkushtuar t’i marrim të gjitha të dhënat që të marrim vendime të duhura… Për neve kjo nuk është vonesë, kujt i duket vonesë le ta kuptojë se është përgjegjësi dhe seriozitet. Nuk merren kuturu dhe shpejt e shpejt vendimet kaq të mëdha’, tha Kryeministri Kurti.