Search

Presidentja mbështet projektin e gazit për arsyje gjeostrategjike dhe gjeopolitike

20 Shtator, 2021


Presidentja Vjosa Osmani ka komentuar rreth iniciativës së shumë përfolur të ‘gazit amerikan’ dhe të investimit në infrastrukturën e gazit në Kosovë.

E pyetur nga Deutsche Welle, se përse Kosova ende nuk i është përgjigjur planit për Gazsjellësin Ballkanik dhe pse ka një refuzim nga ana e Kosovës për këtë iniciativë, ajo ka thënë se ende ka kohë për të kthyer përgjigje për këtë punë dhe se aktualisht nuk mund të thuhet se ka një refuzim nga Qeveria e Kosovës.

Përndryshe, Osmani ka thënë se personalisht e mbështet një projekt të tillë.

“Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit.. Mirëpo në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës”, ka deklaruar Osmani për DW.

Ajo ka thënë se e kupton që gazi nuk është 100 për qind i pastër, mirëpo në krahasim me qymyrin, që përdoret sot në Kosovë, është shumëfish më i pastër.

“Unë mendoj që në aspektin gjeostrategjik ky është vendimi që duhet të marrë Kosova. Por nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit, sepse nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara”, është përgjigjur Osmani.

Ministrja Rizvanolli: Duhet vlerësuar koston e gazsjellësit

Ndërlidhja e Kosovës me gazsjellësin Greqi – Maqedoni e Veriut – Kosovë është ndër projektet më të përfolura të sektorit të energjisë në Kosovë, pasi mediat raportuan se Republika e Kosovës nuk i ka kthyer përgjigjje MCC-së në lidhje me përcaktimin e saj për drejtimin që do të ndjekë për futjen e gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Në konferencën për media të mbajtur javën e kaluar, ministrja Artane Rizvanolli ka konfirmuar se Kosova ende nuk i është përgjigjur kërkesave të MCC për ‘gazin amerikan’. Ajo ka thënë se një përgjigjje e tillë nuk do të ipet para se të bëhen analizat për të ditur koston reale të projektit.

Rizvanolli përfundoj heshtjen e ministrisë ndaj kësaj çështje duke sqaruar se vendi duhet të ketë kujdes të veçantë në hapat e ardhshëm në sektorin e energjisë, pasi vendime të tilla nuk janë marrë në 40 vitetet e fundit.

Rizvanolli mban konferencë për shtyp, adreson gazin në tërësi

Lexo më shumë

Ajo siguroi se janë duke u bërë të gjithat analizat dhe vlerësimet për të pasur mjaftueshëm informata deri në arritjen e vendimeve përfundimtare.

Ndryshe, Kosova vazhdon të jetë në udhëkryq sa i përket të ardhmes energjetike pasi ende nuk ka vendosur për mënyrën se si do të organizojë sektorin e energjisë, si dhe për burimet që do të përdorë për prodhim të energjisë elektrike.

E sjelljen e gazit, Kosova e ka përkrahur në marrëveshjen e Uashingtonit. Një numër projektesh në kuadër të kësaj marrëveshje janë dakorduar me Korporatën Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, duke përfshirë edhe projektet me gaz.

Rajoni ka filluar projektet e gazit

Ajo që tashmë dihet është se ndër vendimet e para që i ka marrë Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës është përgatitja e draft dokumentit teknik lidhur me Termocentralin ‘Kosova A” dhe përgatitja e draft- letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e këtij termocentrali, pavarësisht se në vazhdimësi ishte kërkuar dekomisionimi i menjëhershëm i tij shkaku i vjetërsisë.

Derisa Qeveria e Kosovës vazhdon të mos ketë qëndrim lidhur me projektin e gazit, vendet e rajonit kanë nënshkruar marrëveshjet e para.

Më 3 tetor të vitit të kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nënshkroi në Tiranë memorandumin e bashkëpunimit ekonomik me Nënsekretarin e SHBA-së për Zhvillimin Ekonomik, Energji dhe Mjedis, Keith Krach duke thënë se bëhet fjalë për një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik mes SHBA dhe Shqipërisë.

Avanson gazi në Shqipëri – Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e pikës fillestare dalëse Shqiptare në stacionin e TAP në Fier

Lexo më shumë

Paralel me Tiranën, ndihmës-sekretari i Shtetit për Energjetikë dhe Resurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francis R. Fanon, kishte folur po për tregun e energjisë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke paralajmëruar lidhjen energjetike midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për furnizimin e vendit me gaz natyror.

Amerikanët kërkojnë krijimin e një tregu të qëndrueshëm energjetik midis vendeve të rajonit dhe do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut që të shndërrohet në një aktor rajonal në fushën e energjetikës.

Harta energjetike përfshin interkonektorin që lidh Greqinë dhe Bullgarinë, dhe që do të jetë përcjellës i gazit përmes Bullgarisë e më pas përmes Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut do të përfshihet në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm, pranë qytetit grek Aleksandropulos.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev e ka përparësi energjetiken dhe premton masa konkrete për lidhje me burime energjetike edhe jashtë kufijve të shtetit, për të shërbyer edhe si hap për shpërndarjen e gazit edhe në vendet e tjera të rajonit.

DW: Gazprom humb monopolin e gazit krahas zgjerimit të tregut të gazit në Evropën Juglindore

Lexo më shumë