Search

Kryeministri Kurti për REL: ‘Nuk mund ta paguajmë më rrymën në veri’

09 Gusht, 2022


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka cilësuar si brengosëse mos respektimin e mos implementimin e marrëveshjes së energjisë së darkoduar me Serbinë në muajin qershor.

Ai thekson se qeveria apo ana Kosovare është duke u treguar konstruktive në implementimin e anës saj të obligimeve të marrëveshjes, ndërkaq në anën tjetër Serbia po neglizhon anën e tyre të pikave të marrëveshjes majde tashmë për javë me rradhë.

Tutje, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes pasi këmbënguli se ai [qeveria] nuk mund të përballojë të mbulojë energjinë e shpenzuar edhe këtë sezonë dimri.

Ai përshkroi planin e mundshëm të Serbisë për të vendosur ndikimin e saj në kuptim të furnizimit me energji elektrike, duke e vendosur kështu Kosovën në një rrugë të vështirë dhe të errët përpara nëse kjo do të ndodhte.

Në anën tjetër, pavarësisht nga çështja me Serbinë, kryeministri Kurti u tregua i kujdesshëm për të nënvizuar pasigurinë dhe shqetësimin lidhur me sigurinë energjetike të vendit në muajt e ardhshëm të dimrit.

Ai vuri në dukje se prodhimi nga dy termocentralet si dhe nga burimet e rinovueshme të energjisë nuk mjafton kërkesën e pikut gjatë sezonit të dimrit.

Megjithatë, ai përmendi se marrëveshjet me Shqipërinë si dhe përpjekjet për të siguruar marrëveshje paraprake me fuqitë e tjera ekonomike evropiane pritet të ndihmojnë Kosovën në aspektin e furnizimit me energji.

Në anën tjetër, ai përsëri u tregua i kujdesshëm për të nënvizuar pasigurinë në lidhje me çmimet e energjisë elektrike të importuar, pasi theksoi se Kosova është më e rrezikuar nga çmimet e energjisë elektrike sesa mallrat e tjera që mbushin shportën e konsumatorit.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Besnik Bislimi akuzon palën Serbe por mos-implementim të marrëveshjes për energji, thotë se ka falsifikuar një dokument

Lexo më shumë

ZRRE: Pika e dytë e udhërrëfyesit për energjinë nuk po respektohet sipas afateve

Lexo më shumë

Udhërrëfyesi i plotë për Marrëveshjen e energjisë në veri [DOKUMENT]

Lexo më shumë

Qeveria miraton masat e emergjencës në furnizim me energji

Lexo më shumë

‘Pagesa për rrymën në veri është borxh, jo dhuratë’

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia tashmë janë pajtuar për zbatim të marrëveshjes për energjinë. Megjithatë, kompania e licencuar, Elektrosever, tashmë ka humbur disa afate të parapara që t’i dorëzojë disa dokumente. Si është duke shkuar zbatimi i kësaj marrëveshjeje?

Albin Kurti: Janë dy gjëra për të cilat gjatë qeverisjes sime jemi marrë vesh me Serbinë. Është çështja e targave, që të mos ketë targa të përkohshme, dhe përkohësisht t’i kemi ato letrat ngjitëse mbi simbolet. Edhe kjo duhet të përfundojë, sepse nuk është zgjidhje e përhershme, nuk është zgjidhje evropiane.

Për këtë jemi marrë vesh dhe këtë e kemi zbatuar ne si Kosovë. Dhe, tjetra (marrëveshje) për të cilën jemi marrë vesh, është për fillimin e faturimit të energjisë së konsumuar elektrike në veri të Kosovës. Edhe këtë e kemi zbatuar. I kemi pasur dy javë për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që ta bëjë licencimin e kompanisë në veri. E ka bërë për dy ditë. Ndërkaq edhe sot, pas shumë e shumë javëve, që është dashur të na dorëzohet regjistri i fundit i konsumatorëve në veri, Serbia nuk e ka bërë.

Pra, ne i kemi dy dakordime me Serbinë, dhe është Serbia që nuk po i zbaton. Qeveria jonë, Qeveria aktuale, i ka dy dakordime. Në të dyjat, ne jemi konstruktivë dhe të përgjegjshëm. Atë çka merremi vesh, ne e zbatojmë. Por në asnjërën, Serbia nuk është konstruktive dhe nuk po e zbaton, as në kuptimin e qëllimit, se lëre më të praktikës. Pra, ata as nuk po thonë se do ta bëjnë. Dhe, kjo me të vërtetë është brengosëse. Besoj që faktorët ndërkombëtarë, e në veçanti Brukseli, do të duhej ta regjistronte, qortonte dhe ndëshkonte Beogradin për këtë.

Nuk kam kurrfarë mundësie në dimrin që vjen, të paguaj për veriun e Kosovës. Unë e di që nëse do ta shkëputnim veriun e Kosovës në Mitrovicë, në kuptimin e furnizimit me energji elektrike, menjëherë do të fillonte fushata për krizën humanitare në veri, që do të krijonte pretekst për dy lloj ndërhyrjesh.

E para, Serbia të përfshihet në veri më shumë, dhe e dyta, rrjeti energjetik ekzistues në veri të lidhet me Novi Pazarin.

Unë jam i bindur që ky është synimi i tyre. Ata kanë synim që ne t’i shkëpusim qytetarët në veri të Ibrit në stacionin në Mitrovicë. Mirëpo, ne tashmë kemi paguar për këtë gjë dhe kjo pagesa ynë nuk është dhuratë. Është borxh i regjistruar, që të mos përfundojmë në atë shteg të errët, ndërkaq në anën tjetër, që të mos e rrezikojmë anëtarësimin tonë në ENTSO (Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji). Edhe për këtë arsye ne e kemi paguar.

Por, kjo pagesë që e kemi bërë, e para është borxh dhe është e pamundur që të bëhet në dimrin që vjen. Andaj është shumë e rëndësishme që të zbatohet dakordimi i arritur.

‘Nuk mund ta paguajmë më rrymën në veri’

Radio Evropa e Lirë: Por, në praktikë, nëse zbatimi i marrëveshjes dështon, a do të thotë që Kosova është e detyruar sërish të paguajë për banorët në veri. Cilët janë skenarët për dalje nga kjo krizë?

Albin Kurti: Ne nuk kemi mundësi të paguajmë në vjeshtën e vonë dhe dimrin që vjen, andaj duhet që, pa kurrfarë dileme, sa më parë, qysh dje, të zbatohet dakordimi që kemi arritur. Si mund të kërkojnë ata marrëveshje të reja me ne, kur nuk i zbatojnë këto që tashmë i kemi arritur në kohën e Qeverinë sonë? Kjo tregon që Serbia nuk e ka dialogun për marrëveshje dhe nuk e ka marrëveshjen për zbatim.

‘Nuk kemi kapacitet energjetik për të mbuluar pikun e dhjetorit’

Radio Evropa e Lirë: Si do të përballet Kosova me një krizë energjetike këtë dimër, përveç problemit të veriut?

Albin Kurti: Ne bëjmë më të mirën e mundshme, edhe në lidhjen tonë me Shqipërinë, por edhe në përpjekjet tona që të merremi vesh paraprakisht me operatorë të fuqishëm ekonomikë ndërkombëtarë, lidhur me importin që do të na duhet edhe këtë dimër.

Është e qartë që me gjenerimin tonë, me termocentralet, Kosova A, Kosova B, dhe me burimet e ripërtërishme, ne nuk mund ta mbulojmë pikun e dhjetorit dhe të janarit, e mbase edhe të muajve tjerë. Andaj, ne po përpiqemi që ta minimizojmë edhe si sasi të importuar, edhe si çmim për atë import.

Radio Evropa e Lirë: A pritet të jetë dimër i vështirë edhe për bizneset dhe konsumatorët? A pritet të ketë reduktime, çfarë kërkohet prej qytetarëve për atë kohë?

Albin Kurti: Mund të themi që situata do të vështirësohet në stinën e dimrit, mirëpo në çfarë përmase do të jetë kjo, varet edhe prej rrethanave evropiane e globale. Ju po e shihni sesi edhe rritja e çmimeve, përkatësisht inflacioni, edhe shkurtimet në furnizimet me energji, dhe rishikimin e politikave energjetike, janë duke e bërë edhe vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, që janë me dekada para nesh, e lëre më ne të cilët, siç dihet, as liberalizimin e vizave s’e kemi ende.

Ka krizë Gjermania, ka krizë Italia. Janë duke iu kthyer qymyrit. Pra, është situatë e paparë në disa rrafshe, që nga rënia e Murit të Berlinit, e në disa rrafshe që nga Lufta e Dytë Botërore. Andaj, çka varet prej situatave të ardhshme në kontinentin tonë, e që do ta pësojmë edhe ne, nuk është kollaj e parashikueshme sot.

‘Më tepër rrezikohemi nga çmimi i lartë i energjisë sesa nga mungesa e ushqimeve bazë’

Radio Evropa e Lirë: Njëjtë, në Evropë është duke u përmendur një krizë ushqimore e mundshme për shkak të situatës në Ukrainë. Si pritet ta përballojë këtë Kosova?

Albin Kurti: Shpresojmë që furnizimi i Evropës me grurë, edhe çmimet e energjisë, nuk do të jenë të tilla që do të na krijojnë gjendjen më të rëndë në kontinentin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por, një skenar i tillë i errët, me siguri që imagjinohet në kryeqendrat evropiane dhe ato i dizajnojnë politikat e tyre evropiane. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me to.

Ajo çfarë mund të them sot është që, përshtypjet e mia dhe Qeverisë sime, me ministrat, analizat që bëjnë, e kështu me radhë që i trajtojmë, është se, më tepër rrezikohemi nga çmimi i lartë i energjisë sesa nga mungesa e ushqimeve bazë. Pra, besoj që çmimet e larta të energjisë, sidomos për shkak të shantazhit me gazin rus të vendeve të Bashkimit Evropian, do të jenë më të rënda për t’i përballuar, sesa furnizimi me ushqimin bazë. Por, sërish, nuk i dihet. Është e vështirë të flitet në muajin gusht për muajt dhjetor e janar.