Search

Kroacia publikon thirrjen publike për 250 megavat kapacitete solare dhe të erës

03 Shkurt, 2023


Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kroaci ka lansuar thirrjet publike për lëshimin e lejeve energjetike për ndërtimin e 14 impianteve solare dhe një parku të erës, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar të prodhimit prej rreth 250 megavatësh.

Kroacia ka prezantuar lejet energjetike brenda Ligjit për Tregun e Energjisë Elektrike në tetor 2021, me qëllim të përzgjidhjes dhe zbatimit të projekteve më ‘serioze’ dhe ‘premtuese’ të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Leja është kushti i parë që investitorët duhet plotësuar për ndërtimin e një impianti solar dhe një projekti të erës, raporton Balkan Green Energy News.

Ndryshe, kapaciteti i përgjithshëm i instaluar për projektet solare është rreth 180 megavat, ndërsa thirrja është e hapur edhe për një projekt të erës, me kapactitet prej 72 megavatësh.

Thirrja publike ka të bëjë me dhënien e lejeve energjetike për projektet në lokacionet për të cilat investitorët tashmë kanë dorëzuar aplikacionet në Ministri, transmeton Kosovo.Energy.

Investitori që pajiset me lejen energjetike duhet t’i paguajë qeverisë rreth 6.6 euro për kilovat. Për një projekt 100 megavatësh, pagesa duhet të jetë rreth 700,000 euro.

Leja energjetike bëhet e plotfuqishme vetëm pasi investitorët paguajnë dhe brenda 15 ditësh pasi të jenë shpallur fitues në thirrjen publike.

Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kroaci, Ivo Milatic ka thënë se lejet energjetike janë prezantuar me qëllim të rregullimit të sektorit, si dhe ka shtuar se rreth 216 aplikacione do të procesohen brenda dy muajsh.

Ai shtoi se nga të gjitha aplikacionet me kapacitet të përgjithshëm prej 6,000 megavatësh, projekte me kapacitet prej 4,000 megavatësh janë të llojit që nuk do të mund të zbatohen.

Vitin e kaluar, sipas tij, janë lëshuar leje energjetike për 700 megavat, ndërsa këtë vit për gjithsej 125 megavat, deri më tani.

Sipas planit, deri në vitin 2024 të ketë impiante të reja të BRE-ve me kapacitet të instaluar prej 1400 megavatësh në total, shtoi ai, transmeton Jutarnji list.