Search

Kroacia ka potencial të prodhojë 6.8 gigavat energji solare

05 Mars, 2021


Studimet e reja tregojnë se potenciali i Kroacisë për të prodhuar energji nga dielli është 6.8 gigavat, nga të cilat 5.3 gigavat janë projekte të mëdha solare dhe 1.5 gigavat sisteme solare në kulme të shtëpive.

Këshilli për tranzicionin e energjisë në Kroaci ka përgatitur edhe udhëzues për të motivuar qytetarët dhe bizneset të instalojnë sisteme solare në kume të shtëpive apo ndërtesave, ndërsa ka përgatitur edhe një listë propozimesh për ndryshime ligjore dhe rregllative për të lejuar shfrytëzimin e potencialit diellor.

Udhëzimet dhe këshillat i janë dorëzuar Ministrit të Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm – Tomislav Coric, në një mbledhje të organizuar bashkë me Presidentin e Kroacisë Zoran Milanovic dhe anëtarët e këshillit për tranzicionin e energjisë.

Ministri Coric tha se po diskutohet për një koncept shumë të thjeshtë dhe që ka të bëjë me prodhimin e rrymës në kulme të mijëra ndërtesave në Kroaci, apo edhe në objekte industrial.

Për të mundësuar këtë, duhen bërë ndryshime në ligjin për burime të energjisë së ripërtëritshme dhe atë të tregut të energjisë në Kroaci, të cilat duhen aprovuar nga Kuvendi kroat në muajt në vijim.

Këshilli për tranzicion të energjisë ka identifikuar pengesat kryesore të zbatimit të projekteve për instalimin e paneleve solare, si dhe ka propozuar amandamente ligjore për të tejkaluar pengesat.

Ministri Coric ka thënë se ka shumë furnizues në Kroaci që tani po ofrojnë bashkë-financim për instalim të paneleve solare, dhe ai pret që ky trend të rritet.

Edhe Presidenti Zoran Milanovic konfirmoi se janë duke u bërë ndryshime ligjore për të mundësuar zgjerim të hovshëm të projekteve të energjisë së ripërtëritshme. Presidenti ka konfirmuar se të gjithë pjesëmarrësit në takim duket se ndajnë ide të njejta për të tejkaluar pengesat.

Sipas rregullave dhe planeve të BE-së, deri në vitin 2050 një nga dy banorë të BE-së do të prodhojnë energji për vetkonsum.

Studimet tregojnë se Kroacia ka të gjitha kushtet natyrore të bëhet një ndër prodhuesit kryesor të energjisë solare në BE, sidoqoftë, ajo ka humbur mundësinë deri sot për shkak të mangësive të kornizës ligjore.

Ndërsa energjia elektrike nga panelet solare në BE është diku rreth 5 për qind, Kroacia prodhon vetëm 0.4% të energjisë nga burimet diellore.

Për të arritur mesataren e BE-së, Kroacisë i duhet të instalojë më së paku 800 megavat kapacitete solare, ndërsa për momentin ka vetëm 100 megavat. Plani Kombëtar i Kroacisë për Energji dhe Klimë (NECP) ka përcaktuar caqe të reja që tejkalojnë 1 gigavat kapacitete solare.