Search

Kritikohet kompania kineze që po bën ndërtimin e termocentralit të ri me qymyr në Serbi

19 Mars, 2021


Shtyerjet dhe zgjatjet e procesit të ndërtimit të njësisë së tretë të termocentralit me qymyr Kostolac B në Serbi si dhe cilësia e punëve janë të papranueshme, ka paralajmëruar Zorana Mihajlovic, Ministre e Minierave dhe Energjisë në Serbi.

Kompania CMEC nga Kina është duke ndërtuar njësinë e tretë të termocentralit me qymyr Kostolac me kapacitet të instaluar prej 350 megavatësh. Projekti është njëkohësisht projekti më i madh i sektorit të energjisë në Serbi, si dhe investimi më i madh në sektor në tri dekadat e fundit.

Projekti vlerësohet si shumë i rëndësishëm për sistemin elektro-energjetik në Serbi.

Në bisedë me përfaqësuesit e kompanisë CMEC, Mihajlovic ka kritikuar edhe cilësinë e punëve si dhe realizimin e vonshëm të projektit, ka thënë Ministria e Energjisë dhe Minierave e Serbisë në komunikatën për media.

Mihajlovic ka kërkuar edhe përshpejtimin e punëve me qëllim të arritjes së nivelit të kënaqshëm të realizimit deri në korrik të këtij viti. Ajo ritheksoi se kompania kineze duhet të plotësojë standardet ndërkombëtare dhe obligimet e përcaktuara në kontratë.

Mihajlovic në vazhdimësi ka kritikuar kompaninë CMEC për mbarëvajtjen e punëve në ndërtimin e njësisë së re të termocentralit. CMEC kishte propozuar të ngadalësonte intensitetin e punimeve për shkak të krizës pandemike dhe përfundimin e projektit në vitin 2022. Kjo për Serbinë ishte e papranueshme.

CMEC ka filluar ndërtimin e njësisë së re në termocentralin Kostolac në nëntor të vitit 2019. Ndërtimi i njësisë me kapacitet prej 350 megavatësh do të kushtojë 613 milion dollar, ndërsa i gjithë projekti është llogaritur të ketë vlerën prej 716 milion dollarësh amerikan.

Projekti në Kostolac po zbatohet në pajtim me marrëveshjen ndër-shtetërore ndërmjet Serbisë dhe Kinës për bashkëpunim ekonomik dhe teknik në projekte infrastrukturore, të nënshkruar në gusht 2019.

Banka Exim nga Kina ka dhuruar 85 për qind të vlerës për financimin e njësisë së re, ndërsa pjesa e mbetur prej 15 për qind është sikuruar nga kompania shtetërore energjetike e Serbisë (EPS). Sipas marrëveshjes, kredia duhet kthyer në periudhë 20 vjeçare dhe përfshinë grejs periudhë prej shtatë vishet, me normë fikse interesi prej 2.5 për qind.

Bankat kineze janë të vetmet që ende financojnë projekte qymyri për qeveritë dhe kompanitë shtetërore energjetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kjo pasi institucionet tjera financiare ndërkombëtare kanë ndërprerë financimin e projekteve të tilla në vitin 2013.

Grupet mjedisore kanë kundërshtuar ndërtimin e termocentralit të ri, ata thonë se i njejti do të vështirësojë problemet me ajrin e ndotur në Serbi.

Ndërtimi i një termocentrali të ri me qymyr mund të cilësohet edhe si i çuditshëm krahas ambicjeve të Serbisë për integrim në BE.

Nga Serbia dhe vendet tjera në Ballkanin Perëndimor pritet të zvogëlohen emetimet e gazrave serë.