Search

Rizvanolli për Gazin e SHBA-ve: Kosova nuk ka refuzuar gazin amerikan, por parasheh shfrytëzimin e qymyrit vendor dhe BRE-ve

June 29, 2026


Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk ka zgjedhur importin e energjisë nga shtetet e rajonit në vend të prodhimit vendor apo të gazit amerikan, por se strategjia energjetike e vendit bazohet në shfrytëzimin e thëngjillit dhe burimeve të ripërtëritshme vendore.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rizvanolli hodhi poshtë pretendimet se Qeveria e Kosovës është kundër importit të gazit të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Po ju drejtohem përmes kësaj video për t’ju theksuar disa fakte në lidhje me çështjen e gazit. E para Kosova nuk ka zgjedhur importin nga shtetet e rajonit para prodhimit vëendor të energjisë elektrike, ose para gazit amerikan, siç po aludohet. Përkundrazi, ne kemi zgjedhur thëngjillin, e burimet e ripërtërishme të energjisë si era dhe dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore dhe efiçiencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona. E me gazifikim të qymyrit do të shtojmë kapacitet të reja që janë me teknologji më të avancuar e më pak ndotje”.

Sipas ministres në detyrë, bashkëpunimi me Shqipërinë është konsideruar si një zgjidhje më praktike dhe ekonomikisht më e favorshme sesa ndërtimi i një infrastrukture të re të gazit në Kosovë, përcjell Telegrafi.

“Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA siç po thuhet. Ne qysh në vitin 2022 kemi nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Shqipërinë me synim bashkëpunimin me termocentralin e Vlorës me energji. Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Bashkëpunimi për energji në Republikën e Shqipërisë është shumë i natyrshëm dhe në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse të gazit që merr kohë e ka kosto financiare, ne mund të importojmë LNG-së përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje e ta transmetojmë përmes linjës së interkoneksionit 400kV që e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë”.

Rizvanolli po ashtu tha se nuk është e vërtetë që Kosova e ka ‘refuzuar gazin amerikan’, ose ‘gazsjellësin amerikan’ në vitin 2021.

“Por për draft-projektin e vitit 2021 do të flasim ndaras, më në detaje një ditë tjetër”, tha ajo.

Ndaj Rizvanollit kanë reaguar disa segmente politike, prej tyre dhe Partia Demokratike

Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratave të ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Qeveria nuk e ka refuzuar gazin amerikan dhe se rezervat e qymyrit i garantojnë Kosovës energji më të lirë.

Në një postim në Facebook, Hoxhaj ka përmendur se si Qeveria Kurti në vazhdimësi ka refuzuar projekte strategjike në sektorin e energjisë.

“Me 2019, Qeveria Kurti anuloi projektin e Kosovës me ContourGlobal. Me 2021, refuzoi projektin amerikan të gazit të mbështetur nga SHBA. Sot, po refuzon edhe një mundësi tjetër për t’u kyçur në korridoret e gazit amerikan, duke u rikthyer sërish te i njëjti argument, qymyri”, ka shkruar Hoxhaj.

Sipas tij, pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe strategjike.

“Pavarësia energjetike është një domosdoshmëri ekonomike për zhvillimin e vendit, por edhe domosdoshmëri gjeopolitike për ta mbajtur SHBA-në të angazhuar në Kosovë. Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës. Edhe Serbia po lidhet me korridoret e gazit të lëngshëm (LNG), ndërsa Kosova vazhdon të izolohet me vendime të gabuara politike”, ka theksuar ai.

Në fund, Hoxhaj ka thënë se Kosovës i duhet një qasje tjetër në vendimmarrje për energjinë.

“Kosovës nuk i duhen arsyetime pse nuk lidhet me gazin amerikan. Kosovës i duhet vizion dhe vendimmarrje strategjike për t’u bërë pjesë e tij”, ka përfunduar Hoxhaj.
/Telegrafi